Portugezi Gil Dias dhe Fiorentina ende nuk dihet nëse do ta vazhdojnë bashkëpunimin. Anësori me tipare sulmuese, të cilin italianët e kanë marrë huazim te Monako, me shumë gjasa mund të largohet, ndaj edhe po shihet për të një tjetër lojtar që ta zëvendësojë.
Një lojtar mjaft interesant që po vëzhgohet me kujdes nga vjollcët është Arbër Zeneli, emri i të cilit është lidhur edhe më parë me një kalim tijin në Serinë A. Sipas asaj që është raportuar në mediat italiane, edhe Napoli po e vëzhgon.
Futbollisti i Herenven, autor i katër golave këtë sezon me holandezët, në takimin e fundit të skuadrës së tij asistoi në dy prej golave në fitoren 4-3 ndaj Utreht. Kontrata i përfundon në qershor të vitit 2019 dhe holandezët janë të detyruar ta shesin, pasi mund t’u ikë me parametra zero.
“Corriere dello Sport” shkruan se Fiorentina e sheh si zëvendësuesin ideal të Gil Dias , i cili luan në të dyja krahut, ashtu si futbollisti i Kosovës, që më parë ka luajtur me Suedinë U21, madje duke u shpallur edhe kampion Europe. Gjasat janë që Zeneli këtë verë të ndryshojë skuadër dhe vjollcët po e shohin me kujdes.