Pas publikimit të një lajmi në “Sport Ekspres” ditën e djeshme rreth një problemi fizik që e mundon Edgar Çanin, që mund ta lërë jashtë për disa javë, ndoshta deri në fund të shtatorit, Partizani ka dalë me një deklaratë në faqen e vet zyrtare.
Mjeku i skuadrës Dhimosten Gjini ka sqaruar çështjen e dëmtimit të sulmuesit që erdhi me buj këtë verë në Shqipëri, duke pranuar se Çani ka një problem fizik, por që nuk është aq serioz sa pretendohet.
“Gjendja fizike që po kalon sulmuesi Çani është thjesht sforcim që ka ardhur për shkak të ngarkesës në stërvitje, fakt i cili është konstatuar edhe nga mjeku italian, i cili e ka operuar Çanin. Lojtari për disa ditë do të kryejë një program atletik të diferencuar nga grupi për t’u riaftësuar , nën kujdesin e fizioterapistëve. Kjo është e vërteta në lidhje me gjendjen fizike të sulmuesit Çani”, shprehet Gjini.
Kjo do të thotë se Çani në teori nis stërvitjen e plotë me grupin javën e ardhshme.