Partizani, Moxhi dhe basti i rrezikshëm Juliano

Partizan, a je këtu? Po, Partizani është, ose më saktë Moxhi është. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit është i vetmi që me sa duket po punon për Partizanin e ri, sepse tashmë mësohet edhe emri i trajnerit të ardhshëm. Bëhet fjalë për Mark Julianon, 43-vjeçarin nga Kozenca, i cili me Moxhin ka lidhje të hershme. “Do të jetë një trajner italian, kjo është e sigurt. Pashë skuadrën, tre apo katër ndeshje, tani jam duke punuar për skuadrën dhe për trajnerin. Por, në momentin aktual nuk mund t’iu them asgjë me saktësi, sepse mua më pëlqen që të bëj gjërat mirë dhe jo duke u nxituar. Duke qenë se kemi një muaj e gjysmë kohë për të zgjedhur futbollistët dua të shoh se cilat janë situatat dhe rrethanat më të mira. Sa i përket trajnerit, do të zgjidhim gjithçka brenda një jave”, deklaronte Moxhi para dy ditësh për “Sport Ekspres”. Premtim i mbajtur, trajneri ja ku është…

JULIANO – Futbollist i rritur te Salernitana, Juliano e pati kulmin e vet te Juventusi në periudhën 1996-2005, duke luajtur 187 ndeshje e duke shënuar 7 gola. Jo gjithnjë titullar, por një mbrojtës i besueshëm sa herë nevojitej kontributi i tij. Ka fituar thuajse gjithçka në karrierë: 4 kampionate në Serinë A, 3 Superkupa Italie, një Superkupë Europe dhe një Kupë Interkontinentale. Nëse e mbani mend, ju që keni parë futboll në vitet ’90, Juliano është protagonisti i madh i penalltisë mbi Ronaldon në një Juventus-Inter në vitin 1998. Ishte apo nuk ishte penallti? Arbitri nuk e dha, Juventusi doli kampion. Më pas Majorka në Spanjë, pak ndeshje të tjera në Itali dhe fund karriere në 2012, në moshën 39-vjeçare.

KARRIERA SI TRAJNER – Në vitin 2012, sapo e mbylli me futbollin e luajtur, Juliano nisi punë tek ekipet e moshave të Pavias. Dy vjet aty, më pas një vit te të rinjtë e Latinas. Më 5 janar 2015 Latina e emëroi trajner të parë, pas pushimit nga puna të Roberto Bredës. Qëndroi thuajse një vit te Latina, ku në fakt bëri punë të mirë, por në nëntor 2015 e pushuan nga puna. Më shumë se një vit pushim, duke bërë rolin e opinionistit nëpër televizione, derisa më 26 maj Komo e thirri për t’i dhënë drejtimin e skuadrës që po rindërtohej. Gjithçka ters: pa debutuar dhe pa bërë planet e së ardhmes, Juliano mbeti pa punë, sepse Komo falimentoi.

LIDHJA ME MOXHIN – Në Itali thonë se Mark Juliano është një mik i ngushtë i Moxhit. Karriera e mbrojtësit është lidhur ngushtë me Moxhin që nga koha e Juventusit dhe miqësia e tyre nuk është zbehur më që në vitet ’90. Edhe marrja e drejtimit të Komos në maj, sipas medieve italiane, kishte në prapaskenë Luçiano Moxhin. Te Komo do të shkonin drejtues të afërt me Moxhin dhe u spekulua shumë se Komo kishte marrë si konsulent pikërisht ish-drejtorin e famshëm të Juventusit. Komo falimentoi, gruaja e Majkëll Esienit nuk pagoi më asnjë euro pas majit, ndaj Moxhi erdhi te Partizani dhe tani vjen edhe Juliano.

BASTI I RREZIKSHËM – Futbollist me emër, për pasojë trajner i mirë? Teori që në futboll shpesh nuk ka funksionuar, rastet janë aq të shumta, sa duhet një libër me shumë faqe për t’i përmbledhur. Mjafton të kujtojmë Dosenën, i cili në Shqipëri erdhi si emër i madh, por iku nga kombëtarja pa nisur mirë punë. Shqipëria është ambient i vështirë, nuk kemi nivel të lartë profesionalizmi, në çdo fushë. Partizani është ende pa shtëpi, hall më vete, që sikletos çdo trajner, presioni është maksimal për trofe, asgjë tjetër, vetëm trofe. Lojë? Nëse vjen, mirë, por tifozët janë lodhur nga pritja e gjatë dhe nuk është se u intereson fort që titulli që iu hoq Skënderbeut pritet t’i kalojë Partizanit. Ai është titull tavoline, tifozët duan një titull fushe, nga ata që festohen jo një ditë, por për ditë të tëra! Juliano është “i uritur”, kërkon ta përdorë Partizanin si trampolinë, jo thjesht si një mënyrë për të kapur ndonjë euro qyl. Ky është lajm i mirë për Partizanin, por nga ana tjetër, eksperienca është thelbësore dhe Juliano nuk e ka. Ka edhe aspekte të tjera që duhen marrë parasysh: A do t’i japin një skuadër për titull? A do të ketë mbështetje të plotë nga klubi, pa “bërryla”? A do ta nisë mbarë dhe a do të ketë më shumë fat se te Komo? Të shohim, basti është i rrezikshëm, por nëse fitohet…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online