Partizani përgënjeshtron lajmin e publikuar në Sport Ekspres për një largim të trajnerit Sulejman Starova, duke mohuar prerë: “Klubi reagon ndaj lajmit të publikuar sot nga e përditshmja sportive “Sport Ekspres” e cila pohon largimin e trajnerit Z. Suleman Starova nga drejtimi i skuadrës. Klubi përgënjeshtron këtë lajm duke e konsideruar aspak të vërtet dhe tendencioz ndaj trajnerit dhe Klubit. Duam të saktësojmë se Z. Starova vijon të jetë në detyrën e trajnerit të skuadrës dhe gëzon mbështetjen maksimale të presidentit Demi dhe Klubit. Kërkojmë dhe i tërheqim vëmendje mediave, të jenë më profesioniste në punën e tyre dhe në informacionet që përcjellin për opinionin publik”.
Ndërkaq, gazeta ka kontaktuar me trajnerin Starova, i cili gjithashtu ka përgënjeshtruar: “Unë nuk vij e iki pa konferenca për shtyp e lajm zyrtar. Nuk i kuptoj këto lajme, konfirmohet Starova, ikën Starova, është ofenduese për një trajner. Unë jam pjesë e Partizanit dhe po përgatit analizën e mbylljes së sezonit. Gjatë kohës që lojtarët janë me pushime, stafi vazhdon ende punën për analizën e çdo lojtari në prag të ndeshjeve ndërkombëtare dhe sezonit të ri”.