Verën e shkuar Partizani bëri një goditje mjaft interesante në merkato, sepse mori nga Vllaznia mbrojtësin e majtë Esin Hakaj.
Anësori i majtë, tashmë 20 vjeç, spikati te Vllaznia dy sezone më parë, ndaj u mendua se Partizani do t’i jepte besim, për ta rritur dhe për ta vlerësuar në treg, duke parë moshën e tij.
Ndodhi e kundërta: Hakaj ka luajtur vetëm 20 minuta në Superiore sezonin e fundit, duke u braktisur totalisht, ndaj tashmë ka ndërprerë marrëdhëniet me klubin e kuq.
Shkodrani nuk do të kthehet në shtëpi, sepse tashmë ka shkuar te Teuta, klub që i garanton hapësirë dhe besim, aq më shumë që është një trajner si Magani në drejtim, mjaft i zoti të marrë maksimumin nga lojtarë të rinj e të talentuar.
Teuta ka zyrtarizuar në faqen e vet afrimin e Hakajt, i cili do të marrë vendin e lënë bosh nga Blerim Kotobelli, i cili iku pikërisht te Partizani.