Europa League, turi i parë
Stadiumi “Selman Stërmasi”, ora 17.00
Partizani – Botev 1-3
Shënues: Sukaj 4′ / Kossoko 27′, 88′, Nedelev 60′
Partizani: Alban Hoxha, Kotobelli, Ibrahimi, Atanda, Fejzullahu, Vila (Enok74′), Batha, Trashi, Mazrekaj (Fili 63′), Progni (Bardhi 74′), Sukaj. Trajner: Sulejman Starova. Të gatshëm: Xhika, Krasniq, Ismilaj, Kalari.
Botev: Çvoroviç, Minev, Panov, Syoyanov (Marin 84′), Dimov, Genev, Brisola (Tasev 80′), Omnibes, Baltanov, Nedelev (Jusein90+2′), Kossoko. Trajner: Nikolai Kirov. Të gatshëm: Kajzer, Dimitrov, Ongilio, Apostolov.
Kartonë të verdhë: Kotobelli 45+1′, Sukaj 90+3′ / Syoyanov 26′, Baltanov 60′
Gjyqtarë: Bryn Markham-Jones Daniel Beket, Ljuis Eduards,David Morgan (Uells)
GOLAT
4’ – Sukaj merr një top të gjatë dhe avancon i vetëm në krahun e majtë, në një pozicion mjaft të vështirë godet bukur dhe çon topin në fundin e rrjetës, duke kaluar të tijtë në avantazh. 1-0 për Partizanin.
27’ – Kossoko vendos baraspeshën. Sulmuesi i Botev shkarkon të djathtën e tij në dalje të zonës së Partizanit dhe gjen fundin e rrjetës, me Hoxhën këtë herë në pamundësi për të shmangur golin.
60’ – Miqtë kalojnë në avantazh. Nedelev shënon një supergol duke realizuar me të majtën nga një distancë e konsiderueshme.
88’ – I pafalshëm gabimi i Atandës. Kossoko rrëmben një top dhe avancon drejt portës, pasi kalon dhe kapitenin Hoxha, nuk e ka të vështirë që të realizojë golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën bullgare.
Një humbje që i tregon derën e daljes nga Europa mund të konsiderohet disfata me bullgarët e Botev. Partizani bëri shumë pak për të marrë një rezultat pozitiv, për të lënë së paku të hapur çështjen e kualifikimit. Dy golat e Kossoko dhe rrjeta e nedelev, zhvlerësuan golin e Xhevahir Sukajt. “Demat” kanë kaluar në avantazh vetëm pas 4 minutash lojë, me një realizim perfekt të shkodranit Sukaj. Me kalimin e minutave miqtë fituan terren dhe filluan të ngacmonin portën e Hoxhës, duke e mposhtur këtë të fundit në minutën e 27-të, me sulmuesin Kossoko që realizo një gol mjaft të bukur nga jashtë zone. Partizani mund të kishte pësuar dhe golin e dytë, por autori i golit të barazimit këtë herë u tregua i pafat duke gjetur vetëm shtyllën. Fraksioni i dytë nisi me të njëjtin ritëm, me miqtë që u treguan më këmbëngulës. Nedelev realizon golin e avantazhit duke i ndërlikuar akoma dhe më shumë gjërat, por nuk mjafton vetëm kaq, pasi një gafë e Atandës, i jep mundësinë Kossokos që të realizojë dhe golin e tretë, duke vrarë në një farë mënyre ëndrrën europiane, sepse pas një jave do të duhet një mrekulli që “të kuqtë” të avancojnë në turin e dytë.
EPISODET
11’ – Sukaj tenton të përsërisë vetveten, por këtë herë është më i avancuar se mbrojtja mike. Arbitri anësor sinjalizon pozicion jashtë loje.
23’ – Miqtë tregohen të rrezikshëm dhe fitojnë terren. Kapiteni Baltanov provon të surprizojë nga distanca, por është në lartësinë e duhur “gardiani” Hoxha.
24’ – Mazrekaj kundërpërgjigjet duke provuar nga afro 20 metra, por tentativa e tij përfundon pak mbi traversë.
37’ – Nedelev provon nga një goditje dënimi, kapiteni Hoxha tregohet vigjilent dhe neutralizon rrezikun.
41’ – Batha gabon në mesfushë dhe menjëherë bullgarët dalin përpara. Me fat Partizani, topi i goditur nga Kossoko pasi përplaset në shtyllë përfundon jashtë.
57′ – Syoyanov godet bukur nga distanca, fantastik Alban Hoxha, i cili bën mrekullinë, duke shpëtuar skuadrën e tij nga një gol i sigurt.
71’ – Një top i gjatë për Sukajn, shkodrani bën të pamundurën, por nuk arrin që t’i japë topit devijimin e nevojshëm për t’i dhënë udhën drejt rrjetës.
87’ – Sukaj tenton nga një goditje dënimi, portieri mik tregohet i saktë dhe i sigurt, duke neutralizuar topin në dy kohë.
MOVIOLË
31’ – Atanda ndal topin me dorë brenda zone, për gjyqtarin është gjithçka e rregullt dhe loja duhet të vazhdojë.