Dilaver Duka dhe Partizani e kanë arritur akordin mes tyre. Mesfushori shqiptar që aktualisht është pjesë e Motaun në ligën e katërt (NPS) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është dakord me kushtet e ofruara nga të kuqtë, por ka një problem që hedh poshtë gjithçka.
Sipas asaj që raporton “Superport”, Duka pret që bashkëshortja e tij të lindë binjakë dhe është e vështirë që 28-vjeçari të largohet në këtë moment. Kjo bën që transferimi i tij te Partizani të jetë një çështje e mbyllur.
Tanimë shanset janë shumë të vogla që mesfushori i majtë të luajë në Shqipëri. Vjet Duka ka qenë pjesë e Nju Jork Red Bull dhe është aktivizuar në MLS dhe USL me ekipin e dytë. Në të shkuarën ka mbrojtur edhe fanellën e Kolumbus Kru, Çikago Fajer e Montreal Impact.
Gjithsesi, afrimi i Emanuel Mensah duket se e ka plotësuar ekipin e drejtuar nga Skënder Gega. Deri në fund të merkatos me shumë mundësi do të bëhet edhe një lëvizje, pasi në kampin e kuq mendojnë se janë gati të luftojnë për titullin kampion me grupin që kanë.