Partizani numëron 10 pikë më shumë se Kukësi ndjekës, por në kampin e kuq e kanë thënë me kohë se nuk festojnë para kohe. Barazimi i djeshëm me Kastriotin i fut të besuarit e Skënder Gegës disi në presion për ndeshjen e radhës.
Më shumë se distanca me Kukësin, në fakt shqetësojnë mungesat në mbrojtje. Dje në Fushë-Krujë u ndëshkua me karton të kuq mbrojtësi Lum Rexhepi, i cili do të mungojë ndaj bardhezinjve. Veç tij edhe Sodiq Atanda është i pezulluar.
Nigeriani plotësoi numrin e kartonëve të verdhë dhe kështu edhe ai nuk mund të luajë kundër Laçit. Dy mungesa të rëndësishme, duke parë që edhe alternativat në mbrojtje janë të pakta. Të pezulluarit, por edhe mungesa e Hektor Idrizajt të dëmtuar, kushtëzojnë trajnerin Gega në përzgjedhje.
Rikthimi i Labinot Ibrahimit zgjidh njërin hall, por edhe mbrojtësi shqiptar nga Kosova mund të zhvendoset në qendër dhe për krahun e djathtë zgjidhja e vetme këtë herë do të jetë Esat Mala. Ky i fundit lë një vend bosh në mesfushë dhe me Telushin që ende nuk është gati të luajë si titullar, prishen shumë ekuilibra.