PSG shkatërroi Lionin në mbrëmjen e kaluar me rezultatin e thellë 5-0, ku shkëlqeu Kilian Mbape me një poker golash të shënuar brenda 13 minutash. I pranishëm në stadium ka qenë dhe drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratiçi, i cili e ka ndjekur sfidën në shoqërinë e mesfushorit Blaiz Matuidi.
Prezenca e zyrtarit bardhezi, i cili u kap nga kamerat e “Canal Plus”, ka bërë që tifozët të nisin e ëndërrojnë. Juventus është një nga klubet e interesuara për mesfushorin Adrien Rabiot, të cilit i skadon kontrata në verë me ekipin francez. Një tjetër emër që qarkullon është Marko Verrati, ndërsa ëndrra e ndaluar është Kilian Mbape.
Blerja e Kristiano Ronaldos bën që të mos përjashtohet asnjë lëvizje e bujshme në të ardhmen, ndërsa Juventus është gati për të përgatitur bombën e radhës në merkato.