Paratiçi: Dibala dhe Alegri e ardhmja e Juventusit. Ikardi? Flasim në verë…

Juventusi është shumë pranë fitimit të titullit të tetë rresht në kampionat. Diferenca me Napolin e vendit të dytë është 13 pikë, çka lejon bardhezintë të përqendrohen te1 Champions Liga. Djemtë e Alegrit do të udhëtojnë të mërkurën drejt Madridit për t’u përballur me Atletikon vendase dhe Juventusi do të bëjë maksimumin për të hedhur një hap drejt kualifikimit që në ndeshjen e parë.

Fabio Paratiçi, drejtori sportiv i klubit italian, vlerëson ekipin e Diego Simeones dhe ndalet dhe te situata e Mauro Ikardit. E ardhmja e sulmuesit është larg Milanos dhe Juventusi mund të jetë destinacioni i tij i ardhshëm. Paratiçi nuk i kursen fjalët e mira për Paulo Dibala dhe e mbyll me një koment për të ardhmen e trajnerit Alegri prononcimin e dhënë për “Radio 1”.

CHAMPIONS – “Fitimi i Champions Ligës nuk është një obsesion, por një stimul. Jemi në formë të mirë dhe kundër Atletikos do të jenë dy ndeshje impenjative dhe të vështira. Çdo vit përpiqemi të jemi konkurrues në çdo kompeticion. Për të fituar Champions-in nevojiten shumë gjëra, madje dhe pak fat, ndërsa ndeshjet vendosen nga detaje.”

ATLETIKO – “Nuk besoj se duhen pritur këto dy përballje për të kuptuar se sa vlen Juventusi në Europë. Në vitet e fundit kemi luajtur dy finale kundër Barcelonës dhe Realit të Madridit, duke treguar një futboll të nivelit të lartë. Pastaj është e qartë që çdo vit pritshmëritë rriten.”

IKARDI – “Ikardi është një futbollist i Interit, jemi në shkurt dhe kemi shumë ndeshje të rëndësishme për të përgatitur. Këto pyetje duhen bërë në verë. Ne kryem një operacion informimi për të ardhmen e Ikardit dhe nëse ne ishim një ekip i pëlqyer për të. Kjo është një gjë që bëhet gjithmonë në periudhë merkato, por nuk kishim qëllim të sillnim shqetësime. Kohët e fundit nuk kemi patur asnjë kontakt me zonjën Ikardi.”

DIBALA – “Paulo ka luajtur pothuajse gjithmonë, është një lojtar i yni dhe pavarësisht 25 viteve, ai ka treguar shumë gjëra pozitive. Ai duhet të përmirësohet për t’u bërë simboli i Juventusit dhe jam i sigurt që do t’ia dalë. I ka cilësitë morale dhe teknike për një gjë të tillë.”

ALEGRI – “Projektet janë më të rëndësishme se fitoret dhe humbjet dhe këtë gjë po e demonstrojmë prej 9 vitesh. Maks është pjesë e projektit tonë dhe jam shumë i bindur që do të vazhdojë të qëndroje me ne, pavarësisht ecurisë në Champions Ligë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *