Paolo Maldini u rikthye mbas disa vitesh në Madrid, në ndeshjen për trofeun “Santiago Bernabeu”, zhvilluar mes Realit të Madridit dhe Milanit të tij. Ndeshja u mbyll me rezultatin 3-1 për spanjollët, ndërsa Higuain debutoi me gol me uniformën kuqezi. Një moment emocionues ishte dhe kur Serxho Ramos respektoi Maldinin, idhullin e tij, me gjestin e heqjes së kapelës.
Në një prononcim për “Milan TV”, drejtuesi i Milanit ka folur për ndeshjen me Realin. I matur, pjesë e stilit të tij, ai flet për përballjen, Higuain, Serxho Ramos dhe Gatuzon.
Ndeshja – “Ndeshja ishte e vështirë dhe ky ishte një trofe shumë i rëndësishëm për ta. U luajt një ndeshje shumë e bukur dhe me nivel. Ishte një përvojë e fortë dhe e rëndësishme për rritjen tonë, përballja me Realin në shtëpinë e tij. Jam i lumtur me mënyrën e lojës së skuadrës dhe na vjen keq për rezultatin.
Të krahasohemi me Realin sot është diçka mbresëlënëse, por jo shumë reale. Duhet të jemi të vetëdijshëm për limitet tona. Mbas disa ditëve pushim, do të përgatitemi në 100% për nisjen e kampionatit.”
Higuain & Kaldara – “Të dy kanë punuar shumë mirë. Gonzalo zhvilloi një ndeshje të madhe, luajti shumë mirë, jo vetëm në kërkimin e golit, por edhe në mbështetjen e ekipit. Ai është një sulmues i vërtetë.”
Serxho Ramos – “Serxho gjithmonë është shprehur që unë jam idhulli i tij. Me siguri që për momentin, ai është qendër mbrojtësi më i fortë në botë.”
Gatuzo – “Nuk është se ka ndryshuar nga koha kur ishte futbollist. Eshtë më i përgjegjshëm sepse ta detyron pankina, por Xhenaro është gjithmonë i njëjti karakter.”