Ishte një konferencë e gjatë e trajnerit Kristian Panuçi, i cili iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për rreth 50 minuta. Italiani preku shumë tema, duke nisur që nga problemet në skuadër dhe deri te zgjedhjet e tij. Edhe pse nisi mjaft i qeshur, gjatë bashkëbisedimit me kolegët tanë, u rikthye ai nervozizmi që jemi mësuar tashmë.
Mori vëmendje të madhe situata e Loret Sadikut, i cili fillimisht ishte në listën e trajnerit Panuçi, por më pas lojtari refuzoi të grumbullohej. Nuk ishte i këtij mendimi trajneri, i cili e konsideron pjesë të skuadrës për të ardhmes, edhe pse më vonë u pajtua me idenë se justifikimi i tij se nuk ishte në formën më të mirë duket disi mashtrim, duke parë se ai është një prej lojtarëve me më shumë minuta në skuadrën e tij.
A duhet ta lusim kaq shumë Sadikun, i cili refuzon sërish? Panuçi është i qartë, por vështirë se do të ketë një tjetër shteg për Sadikun. Vetë trajneri u shpreh: “Loret Sadiku, a është vërtet me probleme fizike, kur ndërkohë është titullar gjithnjë në Turqi? Në këtë moment duhet të ruaj ekuilibrat. Nëse pastaj ndonjë lojtar më gënjen, për të mos ardhur në kombëtare, është tjetër diskutim, ndoshta nuk e kupton rëndësinë e të luajturit në kombëtare. Ai më tha që nuk është mirë fizikisht, nuk e di nëse është i lumtur që luan vetëm në Turqi dhe jo në arenën ndërkombëtare. I thashë që kombëtarja është krejt ndryshe nga të luajturit te Kasimpasa, luan kundër kombëtareve më të mira në botë. Për mua nuk është problem, zgjedhjet e mia i bëj, në heshtje, fundja 11 lojtarë do t’i gjej për t’i hedhur në fushë. Uroj ta kërkojnë Reali e Barcelona, por është e vështirë që ta shohin te Kasimpasa, është më e lehtë që ta vënë re duke luajtur për Shqipërinë. E kuptoj zgjedhjen e tij, por unë nuk jam budalla, do vija në kombëtare me motor uji, me vrap. Ai më tha që duhet të mendohet, nuk tha që nuk do vijë. Secili vepron sipas mendjes së vet”.
Ishte disi më e befasishme ajo që tha për Kamer Qakën, kur u pyet se pse nuk ishte në grumbullim. Tekniku italian ishte i qartë duke deklaruar se futbollisti në fjalë është treguar jo shumë profesionist. Thirrje e qartë dhe e hapur për lojtarin që në një farë mënyre nënkuptonte “duhet t’i thërrasë mendje”.
“Qaka duhet të rritet pak, për të luajtur në arenën ndërkombëtare, sepse aty duhet më shumë karakter. E kam hedhur në fushë tre herë, dy herë më ka kërkuar ndërrim pas 10 minutash. Uroj ta bëjë hapin e madh, sepse përndryshe nuk më shërben. Duhet të rritet shumë si personalitet”
Temë delikate ishte dhe ajo e Ivan Balliut. Metz ka në dorë nëse mbrojtësi dot bashkohet me skuadrën apo jo, kjo për një arsye burokratike. FIFA e ka të qartë që klubet duhet të njoftohen 14 ditë para për një lojtar që e kërkon kombëtarja, ndërsa skuadra franceze është njoftuar vetëm 13 ditë para. Do të vijë apo jo, as vetë trajneri nuk e di. Ec e merre vesh se kush e ka fajin!
Situatë jo shumë normale, me kaq shumë çështje, pasi nuk po përmendim çështjen e Mavrajt, apo mungesën e Cikalleshi, të Panuçi e kishte gati arsyetimin tij. Mungesa e minutave tani është bërë hit në konferencat e Panuçit, i cili edhe për Kaçen luajti të njëjtën “kartë”