Ish-futbollisti i Partizanit Ledio Pano ka bërë një analizë të derbit të kryeqytetit në emisionin “Sport News Plus”. Ish-lojtari vlerësoi atmosferën e krijuar nga dy tifozeritë që kishin mbushur plot stadiumin, ndërsa nuk munguan kritikat për disa lojtarë të Partizanit.
“Për të ndjerë që futbolli luhet më tifozë duhet pritur derbi. Jemi mësuar sivjet t’i shohim ndeshjet pa tifozë. Ishte atmosferë elektrizuese dhe bravo të dyja grupimeve. Kur nuk ka incidente, flakadane dhe tymuese janë bukuri. Nuk është ndonjë gjë e madhe se ndërpritet ndeshja 3-4 minuta. Në ndjemë se është një ndeshje mes dy ekipeve më historike në vendin tonë”.
“Nuk buzëqesh sepse nuk më pëlqeu pjesa e parë e Partizanit. Rëndësi ka që ekipi nuk humbi dhe ka rëndësi për vazhdimësinë. Tirana luajti mirë në 45 minutat e para dhe rrezikoi shumë më Ngo. Kishte raste të pastra shënimi dhe meritë ka Alban Hoxha. Tirana kishte hyrë me mendimin për të fituar. Qenka e thënë që Tirana të mos fitojë sa të jetë Gaz Demi, sikur e ka thënë ai. Pjesë e dytë Gega bëri ndryshime dhe ndryshoi ritmi. Mensah e Duka ishin jashtë manovrës së ekipit. Jorgji nuk i dha një penallti Partizanit, e kishte para syve”, tha Pano.