Juventusi po përjeton një periudhë të vështirë rezultatesh dhe dëmtimesh. Kishte vite që bardhezinjtë nuk pësonin nga 3 gola në dy ndeshje rresht, ndërsa dëmtimet e Bonuçit, Barzaljit dhe Kielinit kanë dobësuar prapavijën e ekipit.
Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një tjetër episod i pakëndshëm. Dagllas Kosta ka pësuar një aksident automobilistik, por ia ka hedhur paq dhe nuk ka pësuar dëmtime. Braziliani ka qenë duke udhëtuar me Jeep Cherokee e tij, kur është përplasur me një Fiat Punto.
Anësori ofensiv ka shpëtuar mirë, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër ka përfunduar në spital. Dagllas Kostës nuk po i ndahen problemet, pasi më parë është dëmtuar dhe dënuar si pasojë e disa gjesteve të pahijshme.
Lojtari ka shënuar vetëm një gol në 24 ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon me bardhezinjtë, ndërsa sot ka shpëtuar mirë dhe kjo mjafton për të qetësuar tifozët e Juventusit.