Milani e ka nisur pak më herët se çdo ekip tjetër merkaton e janarit, teksa disa kohë më parë siguroi shërbimet e Lukas Paketës, talentit që aktivizohet me Flamengon. Braziliani do të mbërrijë në Milano për të përfunduar transferimin e tij brenda kësaj jave.
21-vjeçari ka folur pas sfidës së fundit të luajtur me Flamengon dhe është shprehur shumë i lumtur dhe entuziast për transferimin te Milani. Gjithashtu Paketa ka zbuluar numrin që do të mbajë në fanellë, por edhe arsyen që e bindi atë për t’u bashkuar me ekipin kuqezi.
“Do të mbaj numrin 39 mbi shpinë. Është numri me të cilin kam debutuar me ekipin e parë të Flamengos. Më ka sjellë fat dhe shpresoj të ndodhi e njëjta gjë te Milani. Në qoftë se unë kam zgjedhur kuqezinjtë, ka qenë falë Leonardos. Ai më kërkoi dhe më bindi. E kuptova që Milani kishte një projekt serioz për mua dhe kjo është diçka thelbësore për një lojtar të ri që vjen në Europë”.