Lacio nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 kundër Torinos në “Olimpico”. Djemtë e Inzagit e mbyllën vitin në vendin e katërt me 32 pikë. Ndeshja ishte shumë e fortë dhe dhuroi gjithçka. Gol fantastik, penallti e dyshimtë dhe kartonë të kuq.
Andrea Beloti kaloi ekipin granata në avantazh në minutat shtesë të pjesës së parë me anë të një penalltie të dyshimtë, ndërsa Milinkoviç-Saviç barazoi shifrat në pjesën e dytë me anë të “predhe”.
Fundi i takimit pati tension, ndërsa Marusiç la Lacion me dhjetë lojtarë dhe Meite u ndëshkua me të kuq për Torinon. Lacio protestoi shumë në fundin e ndeshjes për rastet e dyshimta, ku përmendet dhe falja e Izos, i cili nuk u ndëshkua më kartonin e dytë të verdhë, pavarësisht se e meritonte.
Igli Tare nuk ishte i pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen, por drejtori sportiv i Lacios ka mbetur i zhgënjyer me arbitrimin e ndeshjes. “Jam totalisht i hutuar”, është shprehur shqiptari, duke lënë të nënkuptohet mërzitjen e madhe për gjykimin e kësaj ndeshje, që nuk i dha mundësinë bardhekaltërve të siguronin fitoren.