Skënderbeu bëri disa afrime në verë, por të paktë janë ata që kanë gjetur hapësira. Dejvi Bregu, normalisht projektohej lider dhe po mundohet të ndihmojë skuadrën e tij në arritjen e objektivave. Oto Xhon, Kaba Sambou dhe Guexh gjithashtu kanë pasur minuta, kurse së fundmi nisi të luajë titullar edhe Saliou Guindo.
E njëjta vlen edhe për Realdo Filin, i cili në tre ndeshje të muajit dhjetor ka luajtur në fillim. Fieraku i krahut të sulmit u mor me vonesë dhe iu desh kohë të fitonte formën sportive, por nuk është i kënaqur me minutat e marra.
Nga ajo që mëson “SportEkspres.com”, Fili po mendon largimin nga Skënderbeu. Ai është nën kontratë me korçarët dhe për këtë do të duhet të gjejë një marrëveshje me drejtuesit e klubit, të cilët me shumë mundësi edhe nuk do ta pengojnë.
Fili dëshiron të rikthehet protagonist dhe këtë e ka bërë më së shumti me Apoloninë në fillimet e karrierës. Më pas kaloi te Partizani, ku nuk është se pati shumë hapësira. Vjet në janar iu bashkua Kamzës, që i besoi më shumë. Kur u mendua se Fili do rikthehej, lëvizja për te Skënderbeu duhet se nuk rezultoi e duhura dhe tanimë po sheh për një ekip tjetër ku t’i besohet dhe të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij.