Shqipëria është shumë pak e njohur në Amerikën e Jugut për arritjet futbollistike, por edhe kështu tërheq shumë futbollistë brazilianë, të cilët e shohin edhe si një trampolinë drejt Europës perëndimore dhe futbollit të vërtetë. Megjithatë, vështirësitë nuk kanë munguar, duke nisur nga ato financiare, që shkaktojnë shumë dhimbje koke dhe krijojnë histori të papërshkrueshme.
“Yahoo Sports” i kushtoi një reportazh problemeve të lojtarëve nga Brazili, me problemet që kanë hasur, të cilat e kthyen ëndrrën në makth…
I tillë është rasti i Danilo Alvesh, i rikthyer në këtë sezon të Flamurtari, pas aventurës së shkurtër në Turqi me Afjet Afionsport, ndërsa në Brazil ka luajtur për Avaí, Criciúma, Portuguesa e Audax. Sulmuesi rrëfen për gazetarin brazilian Rodrigo Herrero se në Shqipëri është diçka e zakonshme për klubet që të mos i paguajnë futbollistët në kohë. Sipas 27-vjeçarit, gjithçka varet nga ecuria: nëse skuadra fiton, rrogat paguhen, por nëse ekipi kalon një moment negativ, atëherë situata bëhet e vështirë.
Ai shpjegon se kur iu bashkua Flamurtarit në vitin 2016, përfitoi një bonus të barazvlefshëm me tre paga: diçka që e ndihmoi për të jetuar në Vlorë, sepse pas atij momenti qëndroi pesë muaj pa rrogë. “Gjatë kësaj periudhe, Skënderbeu donte të më afronte, por ata u dënuan nga UEFA (për shkak të akuzave për trukim ndeshjesh). Duke qenë se nuk paguhesha, u shtira sikur udhëtova për në Brazil, për t’u fshehur në hotelin e skuadrës time të re (Tropical Resort, Durrës), deri në momentin kur kjo çështje të zgjidhej”.
Alvesh shtoi: “Më zbuluan, një fotograf më fotografoi në Durrës dhe kjo më krijoi shumë probleme. Në fund, Flamurtari i shleu detyrimet dhe u ktheva. Edhe vitin pasardhës, qëndrova katër muaj pa u paguar. Bleva një biletë dhe u ktheva në Brazil. Kur drejtuesit më telefonuan, u thashë se arsyeja e largimit lidhej me mungesën e pagave”.
“Ata më thanë: ‘A je çmendur, ktheu menjëherë’, ndërsa përgjigjja ime ishte ‘Është e thjeshtë, më paguani detyrimet edhe do të vij’. Më paguanin dhe unë kthehesha. Duke qenë se kur unë luaja, ekipi fitonte dhe kur nuk isha në fushë, pësonim humbje, klubi u tregua gjithnjë më i duruar me mua dhe nuk më përzinte”.
Danilo tregon se në Shqipëri rrallë ndodh që lojtarët të ankohen ose të protestojnë për problemet financiare, nga frika e hakmarrjes nga ana e klubeve.
“Jam një ndër kapitenët e ekipit dhe kam debatuar shpesh me presidentin Idrizi, edhe nëpërmjet gazetave. Pavarësisht kësaj, kemi shumë respekt për njëri-tjetrin dhe jemi miq të mirë. Ndoshta sepse në Shqipëri është e rrallë që një lojtar të dalë kundër presidentit. Aq e pazakontë, sa kur i thashë presidentit që doja të largohesha nga klubi, më organizoi një festë surprizë, me tortë dhe gjithçka tjetër. Lojtarët e tjerë u çuditën dhe më pyesnin: ‘Si ka mundësi, ti u largove, debatove dhe ai sërish bën këto gjëra për ty?’. Çështja është që pavarësisht debateve me presidentin, ne kemi një marrëdhënie të mirë”.