Mesut Ozil dhe trajneri i Arsenalit, Unai Emeri, nuk kanë raporte të mira me njëri-tjetrin dhe ylli gjerman shpeshherë është ulur në stol. Me të në fushë Arsenali ka një rekord shumë pozitiv, pasi i ka fituar të gjitha takimet dhe ka dalë barazim vetëm me Liverpulin kryesues.
30-vjeçari është lojtari më i paguar tek Arsenali, ku përfiton 350 mijë sterlina në javë. Lojtarët e “Topçinjve” e shohin Ozilin si lider dhe këtë gjë e ka pranuar dhe mbrojtësi i ardhur nga Dortmundi, Sokratis. Greku i ka thurur elozhe Ozilit, duke e shpjeguar mendimin e tij.
“Mesut është jetik për Arsenalin. Një lojtar me cilësitë e tij i duhet çdo skuadre. Kur i pason topin, je i sigurt, pasi ai nuk e humbet asnjëherë. Shpresoj të jetë deri në fund të sezonit në formën fizike optimale, pasi vetëm me të do të arrijmë tek objektivat tona”, përfundoi Sokratis.