Skënderbeu u rikthye te fitorja, pasi mundi Laçin. Në kampin korçar është rikthyer optimizmi, ndërkohë që sulmuesi Oto Xhon e cilëson shumë të rëndësishëm triumfin me kurbinasit. Nigeriani foli për “Supersport” dhe shpreson shumë që të vijojnë me rezultatet pozitive.
“Ndaj Laçit ishte një ndeshje e vështirë, por morëm një fitore tepër të rëndësishme. Dëshironim ta fitonim atë ndeshje, luftuam shumë për ta arritur, për skuadrën, për trajnerin dhe për tifozët. Jemi të kënaqur që morëm rezultatin që deshëm dhe tashmë shpresojmë të marrim të tjera rezultate pozitive”, u shpreh sulmuesi.
Më tej ai u fokusua të takimi i radhës me vlonjatët: “Ndaj Flamurtarit mund t’ia dalim. Të gjithë e dinë kush është Skënderbeu dhe kapacitetet që ka kjo skuadër. Ne nuk i trembemi askujt dhe ndaj Flamurtarit do të tentojnë të marrim 3 pikët. Do të japim më të mirën dhe besoj se mund t’ia dalim”.
Në fund ai foli edhe për situatën aktuale te Skënderbeu: “U kthyem pas pushimeve dhe pësuam disa humbje, por tani çdo gjë e kemi lënë pas dhe atmosfera në ekip është e mirë. I gjithë grupi është duke punuar fort. Personalisht ndihem mirë dhe të gjithë ne po përpiqemi maksimalisht për të arritur rezultatet që duam”.