Sulmuesi shqiptar Florian Kamberi mbylli një sezon të kënaqshëm në Skoci. Futbollisti është pjesë e skuadrës së Hibernian prej dy sezonesh. Në edicioni që lamë pas të Premier Ligës skoceze, Kamberi shënoi tetë gola dhe regjistroi 5 asiste në 33 aktivizime.
Gjatë ditëve të fundit, mediet skoceze kanë folur gjithnjë e më shumë për një interes të kroatëve të Osijek për 24-vjeçarin. Në një prononcim për “The Scottish Sun”, traneri i Hibernian Pol Hekinbotom shpjegoi situatën e sulmuesit: “Çdo lojtar e ka një çmim, kjo dihet. Megjithatë, Floriani është pjesë e skuadrës sonë dhe ne s’jemi të detyruar të shesim lojtarë. Klubi ndodhet në një situatë të mirë financiare. Nuk kemi në plan të shesim ndokënd”.
Kontrata e Kamberit me Hibernian është e vlefshme për dy sezone të tjera. Sipas “The Scottish Sun”, drejtuesit e klubit skocez do të pranonin ta shisnin 24-vjeçarin nëse në zyrat e tyre vjen një çek që e kalon vlerën e 1 milionë paundëve.