Erik Kantona është aktivizuar për pesë sezone me Mançester Junajtid dhe francezi është një nga figurat më të famshme të klubit anglez. Ai godet gjithmonë me komentet e tij origjinale, ndërsa këtë radhë ka shpjeguar se çfarë nuk shkon në ekip dhe tregon zgjidhjen e duhur për të kthyer “Djajtë e Kuq” te fitimi i trofeve.
“Murinjo nuk është i përshtatshëm për Mançester Junajtid. Trajneri i ekipit duhet të jetë Pep Guardiola, i cili është djali i shpirtëror i Krujfit. Ekipi nuk është në gjendje të mirë për momentin.
Junajtid është një klub i madh, do të jetë gjithmonë i tillë dhe do të rikthehen të fitojnë trofe, por mënyra e lojës nuk është e duhura për ta. Trajneri e bën skuadrën të luajë keq. Askush nuk zbavitet dhe mungon kreativiteti në lojë.
Murinjo më pëlqen, ka personalitet, por jo atë të duhurin për të drejtuar Junajtid. Trajneri i duhur është Guardiola, i cili po bën magjira me një klub tjetër, që nuk dua t’ia përmend emrin. Pep është i vetmi, i cili mund të drejtojë Mançester Junajtid.
I vetmi, përveç meje. Mua më pëlqen të trajnoj dhe nëse më thërrasin jam gati. Do të më pëlqente shumë dhe ata e dinë ku të më gjejnë. Me mua ekipi do të kthehej të luante një futboll kreativ”, përfundon Erik Kantona për “Daily Mail”.