Kamza u mund nga Lacci në fundjavë, ndërkohë që trajneri Klodian Duro ka theksuar në konferencën për shtyp se nuk ndihet në presion dhe se e kënaq loja e bërë. Sigurisht mungesa e goli është një problem që duhet zgjidhur dhe kjo pranohet edhe ish-lojtari i kombëtares.
Nuk jemi nën presion. Kemi punuar për të rregulluar disa mangësi që kemi shfaqur. Jam i qetë dhe plot besim, sepse kemi luajtur mirë. Nisemi për të korrigjuar atë që na ka munguar në ndeshjet e fundit, mungesën e golit, që bën diferencën në futboll. Nuk është e lehtë, gjetja e golit është pjesa më e vështirë në futboll. Klubet e mëdha paguajnë miliona për të gjetur sulmues goli. Fitorja është pjesa më e vështirë e futbollit, por jam i qetë, sepse po krijojmë shumë raste dhe po luajmë me logjikë”.
Duro më tej e pranon se do kishte dashur të ishte në krye të skuadrës që në fillim, por tregon se Kamza i kish pëlqyer që në fillim, ndaj nuk e sheh si problem faktin që nuk e ka ndërtuar ai si skuadër. Më tej ai flet për objektivin ndaj Luftëtarit.
“Dua futboll ofensiv, që të prodhojë lojë dhe kjo e fundit çon te rezultati pozitiv. Ekipi më jep bindje se mund t’ia dalë mbanë, edhe pse gjithçka mund të ndodhë, si me Laçin, edhe pse logjikisht luajtëm më mirë dhe duhej të fitonim shumë lehtësisht. Kamza në çdo ndeshje luan vetëm për fitore”.
I pyetur nëse rrezikon në rast humbje, Duro thotë: “E ardhmja ime do të jetë siç e shihni aktualisht. Do të punojmë akoma më shumë, për të përmirësuar shënjestrën dhe për të marrë pikë”.
FORMACIONI – “Shoh gjatë gjithë javës kush stërvitet më mirë dhe kush është më i uritur. Bazuar në këto, do të vendos edhe për formacionin e nesërm. Më vjen keq për futbollistët, sepse po japin gjithçka në fushë. Vetë jam i qetë, nuk kam asnjë presion nga klubi. Më mbështetin në çdo veprim dhe kjo është gjëja më e mirë për një trajner. E di mirë ku po çalojmë, po punojmë për ta korrigjuar pikën tonë të dobët”.
“Devolli iku pas dy humbjeve, a keni presion? Nuk fshihem pas gishtit, nuk kam frikë nga asgjë. Kur kam marrë përsipër drejtimin e Kamzës e di mirë sa është ‘krevati’ i Kamzës dhe sa na duhet ‘jorgani’. Do të eci përpara me filozofinë time të futbollit, të një futbolli kreativ dhe sulmues, që të çon te rezultatet. Nuk do ndryshoj asgjë në aspektin e lojës, por do të ndryshojmë ‘urinë’ për të finalizuar rastet tona”.
STRATEGJITË E KUNDËSHTARËVE – “Më bëhet qejfi nëse kundërshtarët na studiojnë, do të thotë që rrinë ditë e natë duke menduar për ne dhe kjo do të thotë që jemi në rrugën e duhur, sepse kundërshtarët e kanë mendjen te ne. Po ju nuk bëni të njëjtën gjë? Nuk më intereson çfarë kundërshtari kam përballë, më intereson vetëm puna e ekipit tim”.
I pyetur se kush është më shumë në presion, Kamza apo Luftëtari, Duro shprehet: “Çdo ekip bën llogaritë e veta. Unë bëj llogaritë e ekipit tim dhe dua të vazhdojmë të luajmë si deri tani, duke dëshiruar që të kthehemi sa më shpejt te fitorja. Nuk i druhem betejës, sepse jam mësuar me beteja edhe më të vështira, ndaj llogaritë bëhen në fund. Jam i bindur që shumë shpejt do të ngjitemi ndjeshëm në renditje”.