Lukas Paketa ishte padyshim një ndër blerjet me të goditura të Milanit dhe u desh vetëm pak muaj që braziliani të vërtetojë diçka të tillë. Tashmë, prej kohësh përflitet për një tjetër operacion “alla Paketa”, ku objektiv është mesfushori anësor i Gremios, Everton.
Pak kohë më parë, ishte vetë lojtari që pranoi në media, se do t’i pëlqente një kalim i mundshëm te Milani dhe duket se Leonardo nuk ha humbur kohë. Sipas raportimeve nga mediat italiane, thuhet se drejtori i kuqezinjve, ka fluturuar drejt Brazilit për t’u takuar me drejtues të Gremios, për të diskutuar për Everton.
Klauzola e lirimit të 23-vjeçarit është 80 milionë euro, një shifër që është relativisht e lartë. Për këtë arsye, Leonardo ka qenë personalisht për të biseduar me krerët e klubit të Gremios, për të gjetur një marrëveshje që do të kënaqte të dyja palët. Hapat e parë janë hedhur, tani pritet merkatoja e verës për të konkretizuar gjithçka.