Ish-futbollisti i Tiranës, Bedri Omuri, ka folur ashpër për ekipin bardheblu kryeqytetas, ku në fokusin e tij ishin vetëm lojtarët. Në intervistën për “RTSH SPORT”, Omuri u shpreh se Halili dhe Mema nuk kanë asnjë faj, por lojtarët që mbajnë veshur fanellën e Tiranës:
“Tirana ka tre vite që është dështim. Nuk është vetëm viti i parë. Më duket se duan ta rrëzojnë me qëllim Tiranën. Por dhe ata kanë bërë një lojë të dobët, pa karakter. Më vjen keq për presidentin Halili, pasi lojtarët po luajnë pa zemër.
Nuk e di çfarë investimi është bërë te Tirana, nuk e di. Tek të rinjtë, kanë 3-4 elementë shumë të mirë, duan më shumë besim. Nuk besoj se Ardi (Mema) ka bërë ndonjë gjë të keqe. Ai po gatuan me brumin që ka gjetur aty. Tirana ka humbur dhe shumë penallti, që mesatarisht do i jepte 10 pikë më shumë.
Tirana e humbi vetë ndeshjen përballë Partizanit. Si te goli i parë, si te goli i dytë, faj pati portieri. Me 100%! Ndikon dhe gjendja psikologjike te ekipi, por shpresoj që këtë javë të dalë nga kriza dhe të mos rrezikojë”, përfundoi Omuri.