Olsi Rama: Nuk ka rëndësi sa shpenzon, rivali më i vështirë ishte Laçi!

Partizani u shpall kampion dhe për të arritur në këtë pikë është dashur një punë kolosale. Pa dyshim që një nga protagonistët ka qenë edhe Olsi Rama, drejtor i përgjithshëm i klubit të kuq. Pas titullit daljet në media prej tij kanë qenë të shumta dhe së fundmi ka folur gjerë e gjatë në emisionin “Wake Up” në Top Channel.

FESTA – “Po reflektoja pas derbit dhe mendoja se kur të mbaronte çështja e titullit kampion do të isha më i qetë dhe i relaksuar. Në fakt nuk është ashtu. E kam kuptuar më shumë atë ditë që fituam derbin. Jam gëzuar prej asaj që po ndjenin ata djem, jam gëzuar duke e parë tek ata faktin që më në fund u arrit një objektiv që është ëndërr. Unë kam ende atë merakun e punës që duhet bërë, pasi pikësynimi janë ndeshjet e Champions League”.

KUNDËRSHTARI MË I FORTË – “Ka qenë kampionat interesant, komplimentet më të bukura që kam marrë unë dhe presidenti kanë qenë se ky kampionat ka qenë më pak i kontestuari në vitet e fundit. Të gjitha ekipet ishin në lojë, nuk ka pasur ndeshje të lehta. Kukësi ishte rivali direkt që në fillim, pasi ishin ndjekësit më të afërt. Skënderbeu nuk ishte në vitin më të mirë, Teuta pati një rritje. Gjithsesi nuk harroj të them që ndeshjet tona më të vështira kanë qenë me Laçin dhe Kastriotin, disa ekipe që nuk bëjnë pjesë në elitën e sipërme të kampionatit. Ato i kanë dhënë një ngjyrim shumë të bukur kampionatit”.

“Pse ju ka hapur shumë probleme Laçi? Nuk është vetëm Laçi i vështirë. Ata kanë një ekip që luajnë në një mënyrë prej vitesh, kanë djem të rinj, kanë entuziazëm, kanë një ekip që gjithmonë organizohet mirë në fazën mbrojtëse, nuk të lë hapësira. Këto janë disa elementë që e bëjnë Laçin të vështirë jo vetëm brenda fushës së vet, por edhe jashtë fushe. Ekipet e tjera nuk është se nuk ishin në lartësinë e duhur, por mendoj se ishim ne më lart. Kukësi ka bërë investime të konsiderueshme në futbollin shqiptar. Ka sjellë lojtarë cilësorë. Edhe Teuta shpenzoi shumë në janar. Nuk është gjithmonë çështja sa shpenzon, por sa mirë i shpenzon  dhe si arrin t’i integrosh të gjithë faktorët”.

LËVIZJET NË JANAR – “Shtuan disa lojtarë, dy na u dëmtuan. Fokusi kryesor ishte që të merrnim lojtarë më të mirë, që të shtonim një vlerë. Vlera nuk ishin thjesht individëte, grupi ishte forca jonë dhe duhet të merrnim elementë që të integroheshin mirë. Patëm durim me Dilaver Dukën që i tregoi vlerat në ndeshjet e fundit, pasi arriti formën. Presim që dy nga lojtarët e rinj që na janë dëmtuar të na kthehen për sezonin e ardhshëm”.

SULMI – “Fati është një element në sport, por ai ndihmon më të fortët. Të tradhton në një moment të veçantë, por në një kampionat me 36 javë meritat arrijnë të dalin në pah. Mehmeti ka folur për spekulimet që Partizani nuk ka një sulmues. Ne jemi ulur dhe kemi biseduar shpesh me trajnerin Gega dhe stafi. Futbolli ka treguar që fitohet edhe pa sulmues. Spanja ka fituar Botërorin pa një sulmues të mirëfilltë. Ne kemi pasur një treshe që me teknikën e tyre krijojnë panik te kundërshtari. Në një moment Mala-Bardhi-Asani e ngritën shumë ekipin, edhe pse asnjëri prej tyre nuk është sulmues tipik”.

Goli i Esat Malës që i dha fitoren Partizanit përballë Kukësit

FRYMA E EKIPIT – “E them që ndeshjet nuk fitohen të shtunën apo të dielën, por gjatë kohës që stërvitesh. Fitohen me mënyrën se si komunikon dhe sillesh jashtë fushës. Vlerat që një ekip të fitojë gjatë janë respekti, disiplina dhe rregulli. Ne këtë e kemi bërë në njëfarë mënyre. Kur marr një lojtar, veç aspektit teknik që e vlerëson stafi, dua të shoh çfarë karakteri ka, si është histori a e tij në ekipet ku ka qenë. Për ata që luajnë në Kosovë e Maqedoni pyesim shokë të tyre, pra gjen informacion për ta. Për të tjerët mundohemi të mësojmë sa më shumë, qoftë duke parë sjelljen në fushë. Është një jetë që bëjnë me njëri-tjetrin dhe kjo është diçka që nevojitet”.

PARTIZANI SI LIVERPULI – “I shkon edhe ngjyra e kuqe, entuziazmi dhe lufta sportive që tregojnë. Padyshim i ekzagjeruar si krahasim, por le ta marrim të tillë për shpirtin e garës dhe dëshirën që kanë pasur për të treguar që ne jemi dhe ne jemi faktorë dhe do të fitojmë. E shoh tek ata djem dhe shpesh ka qenë entuziazmi i tyre që ka tërhequr edhe mua edhe klubin, që të shpenzojmë më shumë kohë edhe të shpenzojmë”.

KOMBËTARJA – “Mendoj që trajneri i ri ka një bagazh dhe eksperiencë shumë të madhe. Besoj që do të arrijë të integrojë më mirë elementët. Jam ndjekës i kampionatit italian dhe mënyra e tij e lojës, kam përshtypjen që do t’i përshtatet kombëtares tonë. Kam shpresë që me një seleksionim të mirë do të marrim rezultatet e duhura”.

AKUZAT POLITIKE NGA MEDIAT – “Jam shumë indiferent ndaj asaj që thuhet në media. Jam shumë i qetë në ndërgjegjen time dhe e di si sillem dhe se çfarë bëj. Këto janë disa gjëra që i kaloj me një auto ironi dhe një buzëqeshje në përgjithësi. Nuk mund ta lë të keqen që të futet brenda meje dhe të ndikojë në jetën time”.

MARRËDHËNIA ME KRYEMINISTRIN – “Ne kemi një jetë bashkë dhe e njohim shumë mirë njëri-tjetrin dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta. Unë personalisht kam bërë një pakt, që për kohën e limituar që ai ka, sepse është jashtëzakonisht shumë i zënë, nuk do ta shqetësoj as unë me problemet e tij politike, as ai me problemet e mia të sportit. Megjithëse ai është tifoz vetë, por thotë që nuk e ndjek kampionatin shqiptar. Kur kemi një ndeshje bashkë? Në stadium nuk kemi parë ndeshje bashkë. Kemi të përbashkët pasionin për Juventusin dhe Italinë. Kemi luajtur basketboll bashkë. Unë vijoj dhe luaj, të paktën një herë, dy herë në javë kur kam kohë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online