Jemi në periudhë merkato dhe çdokush mund të ëndërrojë për të parë lojtarët më të mirë në ekipin e zemrës. Ndonjëherë mjafton edhe një veprim pa ndonjë rëndësi të madhe për të çuar peshë zemrat e tifozëve.
Luka Modriç mbetet objektivi dhe ëndrra e madhe e Milanit. Paolo Maldini mohoi para disa ditësh tratativat me kroatin, por kuqezinjtë janë takuar disa herë me agjentin e “Topit të Artë” dhe tifozët besojnë se Boban do arrijë ta bindë patriotin e tij për t’u veshur kuqezi.
Vetë Luka i ka dhënë “like” faqes së Milanit në instagram, duke rritur shpresat e mbështetësve të “djallit”. Diçka të tillë e ka bërë edhe më parë në një postim të klubit për ultrasit e “Curva Sud”.
Sigurisht që një pëlqim ose klikim në rrjetet sociale nuk tregon shumë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Interin verën e kaluar, por tifozët e Milanit shpresojnë që kësaj radhe të jetë ndryshe.
Kuqezinjtë janë gati t’i dorëzojnë repartin e mesit të fushës yllit kroat, ndërsa tifozët kanë vite që nuk shohin të zbarkojë një emër i madh në Milanelo.