Nurishmi: Do kërkojmë ndryshimin e ligjit, ja situata e Kamzës

0

Shefi i sektorit të garave në “FSHF”, Lysien Nurishmi, ka qenë i ftuar në emisionin “Zona Gol” në “Supersport”.  Zyrtari i lartë i institucionit qeverisës së futbollit shqiptar, ka folur në lidhje me bojkotimin e aktiviteteve futbollistike nga arbitrat dhe mbledhjen e së hënës, ku kryeministri i vendit dhe krerë të tjerë të shtetit do të mblidhen për të folur mbi problematikat e sigurisë në stadium.

DHUNA NË KAMËZ – “Ato pamje na kthyen vite mbrapa, si rrjedhojë vetë arbitrat kanë menduar se bojkotimi do të shërbejë si një shtysë që gjëra të tilla të mos ndodhin më”.

TAKIMI I TË HËNËS – “Të hënën në orën 11 do të zhvillohet një mbledhje ku do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama, krerë të tjerë të shtetit, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, dhe pjesa më e madhe e presidentëve të klubeve shqiptare”.

“Tema më e nxehtë do të jetë rikthimi i policisë në stadiume. Federata në emër të klubeve do t’i kërkojë qeverisë ndryshimin në lidhje me ligjin që ndalon policinë nga të qenit brenda në stadium. Me stjuart siguria nuk mund të garantohet”.

“Policia e shtetit në deklaratën e saj përmendi që vetëm dy stadiume i plotësojnë kushtet, por duhet të jemi të vetëdijshëm se futbolli luhet në çdo cep të Shqipërisë. Stadiumet e kategorive të ulëta u duhet të plotësojnë disa kushte minimale. Duhet të jemi realist nuk mund t’i kërkojmë atyre ekipeve amatore të vendosin kamera”.

“Përsa i përket Superiores mendoj se stadiumet e së ardhmes së Shqipërisë duhet të jenë pa rrethime të larta, ashtu siç janë në të gjithë Europën. Nuk duhet të mendojmë për më të keqen”.

“Ne po kërkojmë ndryshimin e nenit 51 në ligjin e sportit, në mënyrë që policia të garantojë sigurinë në stadiume. Këtë sezon pa policinë brenda rrethimit të stadiumit kemi pasur probleme gjatë ndeshjeve të tensionuara kur kemi pasur shumë vonesa”.

“Në takimet e mëparshme me drejtues të policisë, kur i kemi pyetur përse ky lloj ndryshimi në ligjin në stadiume, ata janë përgjigjur se ka ardhur si pasojë e përputhjes me standardet evropiane. Përsa i përket pagesës ndaj Policisë, më duhet të them se FSHF është e vetmja federatë sportive në Shqipëri që nuk përfiton fonde financiare nga buxheti i shtetit”.

KËRKESAT E TJERA – “Të gjitha kërkesat e presidentëve do parashtrohen ditën e hënë. Do prezantojmë një paketë të përbashkët. Kjo pjesa e lehtësirave/subvencioneve financiare është disi e vështirë të arrihet të them të drejtën”.

KALENDARI – “Klubet janë të lajmëruara, kalendari nuk ka ndryshuar. Shpresoj që ditën e hënë të kemi një konsensus dhe të martën gjithçka do të rifillojë normalisht”.

“Besoj se të hënën do të merret një vendim për të pasur policinë brenda rrethimit të stadiumit, duke qenë ata garantuesit e sigurisë në stadiume”.

KAMZA – “Ekipi i Kamzës ka kërkuar një vendim të arsyetuar, pra shpjegimin juridik, që është  e drejtë e çdo klubi. Më pas ata mund të tentojnë apelimin. Më pas duhet të presim vendimin e Apelit për të parë se çfarë do të ndodhi”.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.