Nuk ka shampanjë për PSG-në, ekipi që është buzë rënies nga kategoria i shtyn festën e titullit kampion parisienëve

PSG-ja duhet të presë ende për titullin kampion. Ekipi i Luis Enrique-s kishte përballë një ekip të lehtë në letër dhe pritej që pas vërshëllimës përfundimtare të hapnin shampanjën për të festuar fitimin e trofeut. Por Le Havre i ka shtyrë festimet e PSG-së.

Skuadra që është buzë rënies nga kategoria i ka marrë një pikë me mjaft vlera kryesuesëve të kampionatit. Ndeshja ka përfunduar me rezultatin 3-3, por Le Havre ishte fare pranë fitores. Këta të fundit po kryesonin takimin deri në minutën e 95, kur Gonçalo Ramosi shpëtoi PSG-në nga humbja me golin e tij. Skuadra e Luis Enrique-s duhet të shpresojë për një humbje ose një barazim të Monaco-s në mënyrë që të sigurojë matematikisht titullin kampion./Halit Delibashi-Sport Ekspres/