“Nuk jam për t’u dhënë mend presidentëve”, Laçi i të rinjve dhe… asisti për Partizanin

Laçi është kthyer në një “çerdhe” ku rriten futbollistë të rinj. Simboli është Gentian Selmani. Ende nuk i ka mbushur 21 vjeç, është kapiten i skuadrës dhe së fundmi shiriti i është dhënë edhe te Shqipëria U21. Për të mbetur te porta, Sali dhe Hasanbelli gjithashtu kanë qenë në fokusin e kombëtareve të moshave dhe janë ftuar.

Jon Mersinaj, 19 vjeç, titullar në sezonin e parë në Superiore. Fangaj nuk ka shumë që ka mbushur 21 vjeç, Çokaj në mesfushë është 19, kurse Jonuzi e Lushkja janë veteranët e këtij reparti. Gjithsesi ende as ata nuk i kanë kapur të 23-tat. Berisha, Smaçi, Xhixha, Bushi dhe Prengaj janë të gjithë under U21. Kundër Kukësit gjashtë prej këtyre të rinjve ishin titullarë, me Selmanin hero në portë.

Laçi gjatë një seance stërvitore | Foto: Sportekspres.com

Trajneri Besnik Prenga pas ndeshjes kishte vetëm fjalë të mira: “Xhixha, Berisha dhe Çokaj kanë punuar shumë gjatë fazës përgatitore dhe i kanë merituar minutat e veta. Jam shumë i kënaqur nga paraqitja që bëri Çokaj. Ai tregoi ato cilësi që ka. Po të mos besoja te cilësitë e tij, nuk e merrja. Këtu ai po punon shumë mirë dhe po vazhdoi kështu e ka një të ardhme të sigurt përpara”.

Laçi pret dy sulmues afrikanë, por trajneri i kurbinasve është i qartë në ato çka thotë: “E kam thënë edhe më parë që nuk duam të bëjmë merkato se duhet bërë. Ekipin e kemi me plot çuna të rinj, të cilët kanë nevojë për minuta dhe përkrahje. Edhe ardhja e lojtarëve të tjerë me vonesë, ka një të mirë: çunat e rinj deri atëherë do të marrin minuta, do përpiqen të përballojnë kampionatin. Lojtarët që vijnë do të luajnë vetëm nëse janë më cilësorë. Ne nuk dorëzohemi dhe do të japim maksimumin deri në fund të kampionatit, me djem të rinj do vazhdojmë përpara. Të jeni të sigurt që do jemi një skuadër me ekuilibër, që jo vetëm di të luftojë, por edhe di të kontrollojë dhe të menaxhojë edhe ndeshjet”.

“Ekip me të rinj, a është Laçi një shembull për kampionatin? Nuk di çfarë të them, nuk jam unë për t’u dhënë mend presidentëve ose klubeve këtu. Të gjithë kanë mendjen e vet. Megjithatë unë flas si trajner. E di që është kënaqësi e madhe të punosh me djem të rinj dhe këtë luks që e kam unë, trajnerët e tjerë nuk e kanë. Kjo sa i përket stërvitjes, disiplinës, rregullave dhe dëshirës. Sigurisht, kush ka objektiva duhet të ketë edhe lojtarë me eksperiencë.  Ata dinë si të fitojnë, të vendosin ndeshjet. Në shohim punën tonë dhe do vazhdojmë t’u japim mundësinë të rinjve të rriten nëpërmjet ndeshjeve”, shtoi Prenga, i cili la Kroacinë për të vijuar karrierën si trajner në Shqipëri.

Skënder Gega dhe Besnik Prenga gjatë ndeshjes Tirana-Kamza

I ngacmuar në fund nëse ishte një “asist” për Partizanin ndalimi i Kukësit, tekniku mirditor i kurbinasve nuk ta jep mundësinë për të hapur diskutime të tjera. Laçi është mendimi i tij i vetëm dhe i intereson më së shumti ecuria e skuadrës së tij.

“Unë mendova vetëm për veten, jo për Partizanin. Ai ka punën e vet, ka hesapin e vet. Ne kemi hesapet tona. Nuk e fsheh që unë kam qenë lojtar i Partizanit. Kam dëshirë që ata të ecin mirë. Dëshira ime është që të ecë mirë edhe Laçi, të ecë mirë edhe Tirana, Kukësi. Pra të gjitha ekipet të bëjnë lojëra të mira dhe në fund kush të jetë më i kompletuari të marrë atë që i takon”, përfundoi Prenga.

VLADIMIR PRENGA 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *