Ideja e krijimit të Superligës Europiane qarkullon prej kohësh, por një gjë e tillë është përgënjeshtruar nga Andrea Anjeli dhe Aleksandër Ceferin.
“Unë mund të konfirmoj që nuk e kemi diskutuar dhe as jemi përfshirë në krijimin e Superligës Europiane. Ne jemi plotësisht të impenjuar me UEFA-n për avancimin e lojës së futbollit”, konfirmon Andre Anjeli, presidenti i Juventusit dhe kreu i ECA (Shoqata e Klubeve Europiane).
Në të njëjtën linjë qëndron dhe presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Slloveni e përjashton një gjë të tillë, ndërkohë që i hap rrugën krijimit të një… SuperChampions Lige, siç citon “Gazzetta dello Sport”, që do të përbëhet nga 32 skuadra.
“Nuk do të ketë Superligë Europiane. E gjitha që mund të them është që kjo ide është jashtë diskutimeve tona. Të gjithë do të kenë mundësinë për të konkurruar në çdo kompeticion europian. Detyra jonë është të ruajmë trashëgiminë e futbollit europian, por nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm se duhet të mendojmë dhe për tregje të tjera. Tifozët mund të qëndrojnë të qetë. Nëse do të krijojmë një produkt të ri, jemi të sigurt që do të përfshihen tifozë nga e gjithë europa.”
SuperChampions mund të lindë në vitin 2024, ndërkohë që licencimi i një kompeticioni të tillë mund të ndodhë në vitin 2021.