Sot, qindra qytetarë të Tiranës, miq, shokë e të afërm të Mikel Jankut, i dhanë atij lamtumirën e fundit. Në fytyrat e tyre dhimbja shprehej qartë, por edhe krenaria që kanë njohur një njeri të madh, një intelektual që sportin e dashuroi si jetën. Veç figurave të njohura të Partizanit e të Kombëtares, aty kishte edhe gazetarë sportivë, e mes tyre edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Kujtimet e vlerësimet për figurën e Mikel Jankut e rikthyen në kujtesë atmosferën e viteve të bukura të këtij personaliteti, i cili sot u përcoll për në banesën e fundit vetëm fizikisht. Ai la pas një histori të madhe dhe me vlera në futbollin shqiptar, por edhe në gazetarinë sportive në vendin tonë.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta
“Për një njeri të madh si Mikel Janku, fjalët sot janë të vështira për t’u thënë. Por ai ishte një figurë e madhe e futbollit shqiptar dhe më pas e gazetarisë sportive. Mikeli ishte njeri me integritet në shoqëri, një njeri që sot nuk mund të përshkruhet me pak fjalë. Figura e tij le të jetë një mesazh për gjeneratat e reja të shoqërisë shqiptare, të cilat duhet të mësojnë më shumë nga historia që Mikel Janku la pas”.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka
“Mikeli ishte dhe do të mbetet një nga figurat e shquara të futbollit shqiptar. Ai ka qenë model i një sportisti shembullor, i një njeriu me kulturë e qytetari, një drejtues pasionant në sport, por edhe një gazetar që sportit i mbeti besnik deri në fund të jetës së tij. Sot ai po ndahet vetëm fizikisht nga jeta, por historia e tij do të mbahet mend nga brezat. Federata Shqiptare e Futbollit gjendet pranë familjes së tij në këtë dhimbje”.
Fatmir Mneri, ish-kryeredaktor i Sport Ekspres
“Kam kaluar momente të vështira, por edhe shumë të bukura me Mikel Jankun. Ai ishte bashkëthemelues i gazetës Sport Ekspres dhe më pas u bë një kontribuues i vlerave më të mira të gazetarisë sportive. Qielli e tërhiqte shumë Mikelin në ëndrrën që ai kishte për t’u bërë aviator. Dëshira për të fluturuar e bëri të tillë edhe si portier të madh te Partizani dhe te Kombëtarja. Sot ai qiell e mori përgjithmonë”.