Kur në gusht të vitit të shkuar firmosi për Puskás ka Hungari, me siguri që Liridon Latifi nuk e mendonte se do të haste kaq shumë probleme. Ishte një kampionat mesatar, i përshtatshëm për një futbollist që është ende në zhvillim i sipër, por ndryshe nga sa pritej, Latifi ka vuajtur shumë dhe ka luajtur pak, duke u bërë edhe mollë sherri, sepse ka kushtuar rreth 1 milion euro sipas shifrave zyrtare, shpenzim kolosal për një klub modest në letër, edhe pse Puskás është një klub shumë i pasur dhe që synon të bëhet një superfuqi në Hungari.
Vetëm 400 minuta në kampionat sezonin e shkuar dhe dëmtime të vogla që nuk iu ndanë gjithë sezonit, ndaj Latifi e mbylli me zhgënjim, duke shpresuar që sezoni i ri të jetë ndryshe, edhe për shkak se është ndërruar trajneri.
Megjithatë, sezoni ka nisur shumë keq për Puskás, që ende nuk ka fituar në 6 ndeshje kampionati dhe sot u mund 3-2 në fushën e Paksit.
Lajmi i mirë është se Latifi luajti 90 minuta dhe në minutën e 81-të shënoi golin e barazimit të përkohshëm 2-2, goli i parë në kampionatin hungarez. Festë e kotë, sepse në fund Paksi shënoi golin e fitores, por ndoshta është fundi i makthit për mesfushorin e kombëtares sonë.