Uilliam Kordeiro ka qenë një nga futbollistët më të mirë te skuadra e Kukësit këtë sezon dhe është një rrezik i përhershëm për mbrojtjet kundërshtare. Edhe trajneri Cungu ka besim të plotë te braziliani dhe e ka aktivizuar titullar thuajse në çdo ndeshje të këtij sezoni.
Në takimin e djeshëm përballë Teutës, Kordeiro kishte mundësinë të shmangte humbjen për skuadrën e tij, por u tregua i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë në sekondat e fundit të sfidës. Pas ndeshjes, Uilliam shfrytëzoi rrjetet e tij sociale për të komentuar për këtë rast. Në profilin e tij në Instagram, Kordeiro shkroi:
“Futbolli i ka këto gjëra: Një ditë je hero, një ditë i urryer. Nuk më shqetësojnë aspak kritikat, nuk më interesojnë, por ato më bëjnë më të fortë. Kam kaluar kohë të vështira edhe më përpara dhe i kam kaluar. Edhe kësaj radhe, nuk do të jetë ndryshe”.