Reali i Madridit ndodhet në një moment të vështirë dhe merkato është mëse e nevojshme. Pasi arriti të siguronte shërbimet e Brahim Diaz, Florentino Perez është hedhur në sulm për një qendërmbrojtës.
Spanjollja “Marca” raporton dhe hap faqen e parë me emrin e Eder Militaos, si objektivin kryesorë të “Los Blancos”. 20-vjeçari brazilian është pjesë e Portos, luan në qendrën e mbrojtjes, bën mirë rolin e mbrojtësit të djathtë dhe në momente të nevojshme luan mirë dhe në pozicionin para mbrojtjes.
Kontrata e tij me Porton skadon në vitin 2023, ndërsa Militao, i cili debutoi me kombëtaren e Brazilit në miqësoren e 12 shtatorit të kaluar kundër El Salvadorit, ka një klauzolë prej 42 milionë eurosh. Reali është gati të paguajë dhe të mbyllë tratativën, pasi në fund të sezonit klauzola e lojtarit kalon në 50 milionë euro.