Mançester Siti festoi fundjavën që lamë pas titullin e Premier Ligës, me ekipin e Guardiolës që mposhti konkurrencën e fortë të Liverpulit.
Festa ishte e madhe në kampin e “Citizens”, por ka dhe lojtarë që ishin që të pakënaqur, ku një prej tyre është padyshim Leroi Sane. Gjermani nuk është aktivizuar shumë, sidomos në fazën e dytë të sezonit dhe tashmë kur jemi në prag të merkatos kanë nisur spekulimet e para për një largim të mundshëm.
Siç është raportuar mëngjesin e sotëm, Bajerni i Mynihut është hedhur në sulm për shërbimet e anësorit. Bavarezët e kanë kërkuar Sanen që në kohën kur ky i fundit luante te Shalke, por gjermani në atë kohë vendosi të bashkohej me Guardiolën te Siti.
Bajerni ka dhe një avantazh të madh dhe ai quhet Gnabri. Pikërisht Gnabri-Sane formojnë dyshen nga krahët në kombëtaren e Gjermanisë dhe 23-vjeçari i Sitit do ta pëlqente shumë një partneritet me Gnabrin. Bisedimet kanë nisur dhe gjithçka duket e mundur për t’u finalizuar.