Juventusi është gati të shkruajë një kapitull të ri me Mauricio Sarrin në pankinë. Ish-trajneri i Çelsit është një tip ndryshe dhe i tillë do të jetë dhe futbolli i tij. Më shumë guxim, fantazi dhe lojë në sulm.
Kontingjenti është i plotësuar me cilësi dhe sasi, ndërsa tifozët janë entuziastë dhe besojnë se ky do të jetë sezoni kur Juventusi do t’i rikthehet dominimit në Europë. Për pak minuta (13:30) nis ndeshja kundër Totenhemit dhe Sarri ka zgjedhur këtë formacion
4-3-3 është skema. Bufon do ta nisë si titullar, ndërsa qendra e mbrojtjes do të formohet nga dyshja Bonuçi-Rugani. Kanselo dhe De Shiljo do të operojnë nga krahët. Pjaniç-Emre Çan dhe Matuidi janë treshja e zgjedhur për mesin e fushës.
Ronaldo e nis si titullar në sulm, por do të pozicionohet në krahun e majtë. Në qendër do luajë Mario Manxhukiç, ndërsa Bernardeski do të pozicionohet në krahun e djathtë të sulmit.
4-2-3-1 ka vendosur ta rreshtojë ekipin e tij Mauricio Poçetino. Trajneri i Totenhemit ka zgjedhur një formacion me lojtarëve të rinj, ndërsa nuk mungojnë emra si Dele Ali, Lamela dhe Son. Surpriza mban emrin Troi Parrot. 17-vjeçari irlandez është zgjedhur sulmues i parë dhe do të tentojë t’i shënojë portierit kundërshtar, i cili është 24 vite më i madh.
Juventus (4-3-3): Bufon; Kanselo, Rugani, Bonuçi, De Shiljo; Emre Çan, Pjaniç, Matuidi; Bernardeski, Manxhukiç, Ronaldo.
Totenhem (4-2-3-1): Gazaniga; Georgiou, Tanganga, Alderueireld, Uolker Peters; Uinks, Skip; Lamela, Dele Ali, Son; Parott.