Stavri Nica e drejtoi për të parën herë nga stoli Kastriotin, pasi me Luftëtarin ishte i dënuar. Tekniku i skuadrës krutane komentoi humbjen e sotme në Korçë për mikrofonin e Supersport në emisionin “Gol pas Goli”. Numri një i stolit krutan theksoi se ai e di se çfarë i duhet kësaj skuadre për t’u rikthyer në garë për mbijetesën.
HUMBJA – “Ishte qëllimi ynë për të marrë pikë, pasi kemi nevojë. Situata është shumë e vështirë, megjithatë unë kam ardhur për ta ndihmuar këtë skuadër dhe shpresojmë që me rritjen e moralit dhe ekuilibrit besoj se do të futemi si pjesë e kampionatit dhe të jemi më agresiv për të marrë pikë”.
ATSINA – “Zëvendësimi i Atsinës ishte për arsye fizike sesa taktike. Do të përshtatet më mirë, nuk kishte shumë besim kur erdha, pasi nuk kishte shumë minuta. Do ta mbështes dhe uroj që ta ndihmojë skuadrën”.
OBJEKTIVI – “Kam ardhur që të jap përvojën time te kjo skuadër, të fus dhe tipin tim, për të bërë një skuadër agresive dhe të jemi të ekuilibruar në lojë. Na duhet besim dhe entuziazëm që të dalim nga kjo situatë. Besoj se do ja arrijmë me këto djem. Kam gjetur një ambient, ku më kanë dhënë fjalën se do punojnë maksimalisht për t’u rritur në lojë dhe për të arritur te rezultatet”.
PUNA – “Me ngritjen fizike, nëse do kemi më shumë intensitet, skuadra do të jetë më mirë fizikisht. Aty them se do të jetë ndryshimi, që të jemi më të fortë dhe më agresiv në veprimet sulmuese. Mesfushorët hezitojnë që të afrohen drejt portës dhe të shënojnë”.