Marvin Ogunxhimi ishte një ndër dështimet e vitit në Kategorinë Superiore, sepse sulmuesi belg u transferua me bujë në janar te Skënderbeu, duke u mbështetur edhe te një CV impresionuese, pavarësisht se një dëmtim i rëndë pikërisht ndaj Partizanit pak vite më parë ia kishte rrënuar karrierën.
Pas 165 minutave në Superiore, me asnjë gol të shënuar e mijëra euro të arkëtuar, Ogunxhimi ka ikur pa ndier, duke gjetur strehë tashmë në Kazakistan.
Voetbalnieuws.be raporton se sulmuesi ka firmosur për Okzhetpes, klub modest në Kazakistan, që është në vendin e dhjetë në kampionatin me 12 skuadra. Aktualisht kampionati kazak është në mesin e rrugës dhe Okzhetpes ka vetëm 8 ndeshje deri në përfundim të sezonit të rregull, para se të nisin edhe ndeshjet play-off, 12 të tilla, që do të përcaktojnë skuadrat që bien nga kategoria dhe ato që shkojnë në kupat e Europës.
Ogunxhimi ka firmosur deri në fund të vitit, me shifra të konsiderueshme, por nëse nuk ia del as në Kazakistan, vështirë se do të kapë gjëkundi kontratë të majme, edhe pse është ende i ri, 29 vjeç.