Presidenti i FSHF-së Armand Duka ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në Ora News, ku foli për shumë tema, duke nisur që nga shorti i kualifikuesve të Euro 2020 dhe deri te një mundësi e rikthimit të ish-trajneri Xhani De Biazi.
Numri një i Federastës Shqiptare të Futbollit analizoi dhe ecurinë e trajnerit Kristian Panuçi, duke veçuar arsyet se pse ai i besoi projektit të tij. Duka po ashtu nuk la jashtë vëmendjes edhe temën e mbylljes së basteve.
President, si e komentoni shortin për Shqipërinë?
Nuk ka grupe të lehta, të gjitha grupet janë të balancua në një lloj mënyre, me skuadra shumë të forta, mesatare dhe me më pak të forta. Mund të ishte dhe më keq, nëse do të qëllonim në një grup me Gjermaninë dhe Holandën, që ta bëjnë të pamundur objektivin. Jemi në një grup ku mund të pretendojë kemi kundërshtarë me të cilët mund të luajmë, mund të arrijmë një vend fitues, vendin e parë ose të dytë.
Ka ndonjë përfitim që ne do të ndeshemi me Francën, sa i përket të drejtës televizive?
Nuk ndryshon asgjë. Të drejtat e transmetimit janë të grumbulluara nga UEFA dhe shpërndahen në një mënyrë të përcaktuar. Nuk ka të bëjë me ekipet e mëdha apo të vogla në short. I vetmi interes është ai sportiv, ku mendon se është më e kalueshme apo më pak e kalueshme.
Sa shanse kemi të kualifikohemi?
Pas kualifikimit në 2016 bëhet akoma dhe më e vështirë, pasi e ka vendosur aty stekën. Të gjithë kërkojnë që ne të jemi pjesëmarrës vazhdimisht, por ne mbetemi një përfaqësuese modeste, edhe pse kemi filluar të bëjmë mirë dhe duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar. Sytë të gjithë i kanë tek Islanda dhe Turqia, por për mua duhet të vlerësohet dhe Andorra shumë, pasi vlejnë sa pikët ndaj Francës dhe mund t’i humbësh nëse do të shkosh në fushë me mendje që i ke të fituara. Duke punuar seriozisht dhe duke pasur në dispozicion të gjithë ekipin, pasi dihet që në 2018 kemi pasur shumë mungesa. Edhe një ekip i madh, po marr rastin e Barcelonës nëse i heqim Mesin mund të humbasë një ndeshje me Zhironën. Ne kemi pasur 4-5 mungesa dhe kjo gjë do të reflektohej edhe në fushë.
E ndiqini përfaqësuesen e Kosovës?
Patjetër që po. Ndjek çdo përfaqësuese në Europë dhe në Botë, por akoma dhe më shumë skuadrën e Kosovës sepse e ndjej pas Shqipërisë.
Çfarë ju bindi që e rikonfirmuar Panuçin?
Nuk mund të them se ishte një zhgënjim. Sa më lart të ngjitesh aq më e vështirë bëhet. Pritshmëritë janë të mëdha kur merr pjesë në Europian dhe më pas renditesh në vendin e tretë në një grup me Italinë dhe Spanjën. Kishte specifikat e veta, edhe komepticioni dhe grupi jonë që ishte me tre, mjaft i vështirë, për të rikuperuar qoftë dhe një gabim. Shqipëria mbeti në Ligën C, çka tregon se nuk ishim një prej skuadrave më të këqija të ligës.
Nuk ishte i njëjti besim edhe për trajnerët e skuadrave të moshave që u ndryshuan?
Ndryshimet nuk ishin emocionale apo pas një rezultati jo të mira. Nuk ishte një ndryshim i menjëhershëm. I kanë pasur mundësitë për të punuar akoma dhe më shumë, për të marrë rezultate. Kur nuk kanë ardhur rezultatet dhe performanca nuk ka qenë e duhur, patjetër që ka pasur ndryshime. Stafi aktual ka vetëm një vit në krye të Kombëtares. Nuk ka pasur të gjithë potencialin e mundshëm. Them se ka vend për përmirësim dhe unë kam kritikat e mia, por jo deri aty sa për të ndryshuar diçka. Jemi para një kompeticioni shumë të rëndësishëm dhe nuk kemi kohë për eksperimente, pasi në mars kemi ndeshjet e para zyrtare.
Jeni i kënaqur me Panuçin deri tani, pavarësisht rezultateve?
Jo, duke qenë se mbahen mend rezultatet, duke qenë se rezultatet nuk kanë qenë edhe aq të kënaqshme. Me të drejtë njerëzit presin rezultat dhe kërkojnë që të shënjestrojnë atë që nuk e merr rezultatin. Në futboll shënjestrohet gjithnjë atë që nuk jep rezultatin. Në futboll zakonisht shënjestrohet trajneri, pasi është e vështirë që ta ndryshosh skuadrën. Në kushtet që jemi them se kemi marrë vendimin e duhur.
Pas largimit të Canës, duket se ka një debat të hapur për shiritin e kapitenit…
Kemi zgjedhur një kapiten, siç duhet është Mërgim Mavraj, Hysaj është i dyti, por kemi dhe një të tretë.
Kalojmë pak te kampionati ynë, ka pasur shumë akuza për blerje e shitje ndeshjes…
Ku ka gjë këtu në Shqipëri që nuk akuzohet për blerje dhe për shitje. Shqipëria ka krizë besimi në çdo aktivitet, akoma dhe më shumë në një lojë. Kam dëgjuar njerëz që luajnë skedona e baste nja një mijë apo nga dy mijë lekë dhe kur e humbasin thonë e shiti Mesi dhe Ronaldo. Nuk them se nuk ka vend për përmirësim, pro jo për të errësuar me gjuhën e një bastexhiu të rëndomte.
Mund të ulet ky fenomen tani që do të mbyllen pikat e basteve?
Pikat e basteve do të mbyllen aq sa është ndaluar pirja e cigareve në lokale.
Kemi parë shumë herë që Komisioni i Disiplinës mbyll dyert e stadiumeve, është një tregues i dhunës në futbollin tonë?
Ne duhet të kemi një nivel të kulturuar, ku të vijnë edhe femrat. Duhet të mbajmë përgjegjësi ne që të krijojmë një klimë të pranueshme. Nuk mund ta etiketoj kampionatin si një kampionat të dhunshëm.
Ka pasur ndonjë moment të vështirë Duka apo ndonjë dështim gjatë periudhës që drejton FSHF-në?
Nëse nuk dështon, nuk arrin të bësh sukses. Gabimet dhe pengesat të bëjnë që të mësosh dhe të ecësh para dhe mbase të arrish dhe te suksesi.
Deputeti Braçe ka dalë shumë herë kundër jush….
Nuk është vetëm Braçe që është kundërshtar, pastaj kritika do të ketë për çdo person që bën një detyrë publike. Nga të gjitha kritikat nëse ka diçka që duhet ta korrigjosh, duhet të korrigjohet. Duhet t’i marrim me sportivitet.
Si e komentoni largimin e policisë së shtetit nga shkallët e stadiumit?
Nuk ka qenë një kërkesë e jona dhe nuk kemi qenë shumë pro vendimit të marrë nga shteti në lidhje me largimin e policisë së shtetit. Jemi munduar që të bëjmë më të mirën. Nuk është koha që të bëjmë krahasime me Anglinë, apo Spanjën. Ne e kemi të vështirë.
De Biazin e shohim gati çdo ndeshje në stadium kur luan Kombëtarja, si rrallë ndonjë trajner. Mund të themi se është një dashuri e madhe në mes e pakushtëzuar?
Suksesin më të madh të jetës së tij e ka arritur me Shqipërinë dhe ndihet mirë. Shqiptarët e respektojnë shumë pasi ne arritëm rezultate historike me të. përderisa ndihet mirë dhe nuk ka angazhimet e tij të tjera, vjen e sheh ekipin, takon miqtë e tij.
Ka pasur keqardhje kur u largua ish-trajneri, pse erdhi kjo lëvizje?
Them se ishte fundi i një cikli. Kishte nisur një edicion tjetër jo aq i suksesshëm. Ishte një marrëveshje e dyanshëm, por një konsensus që ky bashkëpunim të ndërpritet dhe të vijë dikush tjetër.
Mund të kemi një rikthim të De Biazit në të ardhmen?
Është një diskutim që nuk na çon aksin sot. Kemi një trajner dhe një staf të kompletuar gati për të nisur një kompeticion të ri.