Pasi e mbylli përfundimisht me futbollin, Antonio Kasano është rikthyer të flasë për të. 36-vjeçari ka prekur shumë tema gjatë prononcimit të tij për “Tiki Taka”, duke thënë si gjithmonë mendimin e tij origjinal.
Barezi i famshëm e nis me Ikardin, i cili u kritikua shumë pasi u “arratis” drejt Spanjës për të ndjekur finalen e madhe të Kupës Libertadores, River Plejt-Boka Zhuniors.
“Budallëqe, ai ishte me gruan e tij në Madrid dhe mund të bëjë çfarë të dojë. Unë largohesha nga grumbullimet e ekipit në moshën 20-vjeçare, ndërsa të nesërmen shënoja dy gola në ndeshje. Rëndësi ka t’i shënojë PSV dhe njerëzit e harrojnë çfarë ka ndodhur. Djalit tim i ngjita emrin Lionel në nder të Mesit. Jam i sigurt që do të bëjë një ndeshje të madhe dhe Barcelona do të fitojë kundër Totenhemit. Mesi tek Inter? Ndoshta, por ka një problem: duhet shitur e gjitha skuadra për të arritur te Leo.”
Kasano është një tifoz i Interit dhe flet për sezonin që po zhvillon ekipi i Spaletit. “Interi ka bërë një merkato të mirë. Por, nëse nuk shënon Ikardi, nuk shënojnë as të tjerët. Nëse Mauro ka dy ditë me ethe, Interi nuk e gjen dot golin. Martinez? Spaleti mendon se Interi mund të luajë me vetëm një sulmues…”
I talentuari “i çmendur” flet dhe për ekipin e Milanit. Ai kaloi një sezon e gjysmë me kuqezinjtë, duke fituar dhe titullin kampion. Zllatan Ibrahimoviç ishte shoku u tij te ekipi i “Djallit” dhe Kasano e nis me mundësinë e suedezit për t’u rikthyer në Milanelo. Më pas ai kalon te Juventusi, për të cilin ka vetëm fjalë të mira.
“Jeni të sigurt që Ibra nuk do të rikthehet? Ndoshta do të vijë, por mund të jetë duke kërkuar një kontratë më të gjatë se 6 muaj. Në këtë Serie A të mbushur me lojtarë të mbaruar, ai do ishte ende vendimtar. Alegri? Jam një fans i tij. Juventusi e ka ndërtuar fatin e tij 10 vite më parë, ndërtoi stadiumin dhe tashmë bën një kampionat më vete. Bardhezinjtë krahasohen me Realin dhe Barcelonën për momentin.”
Kasano bën një krahasim mes dy sulmuesve argjentinas të klubeve milanezë: Mauro Ikardit dhe Gonzalo Higuain. Kapiteni i Interit është kthyer në një “vrasës” zone, por “vota” shkon për bomberin e Milanit. Në fund dëshira për të ardhmen dhe një koment për teknologjinë VAR.
“Teknikisht Pipita është njësoj me Suarezin. E konsideroj më të fortë se Ikardin, por e shoh të trishtuar. Kush do t’ia pasojë topin te Milani, gjyshi im? Ikardi është ndryshe: prek dy topa dhe njërin e dërgon në rrjetë. E ardhmja? Do të më pëlqente të bëja rolin e drejtorit sportiv me kompetenca të plota, por nuk dua të marr rrogën pa e merituar. VAR? Po kthehet në farsë. Lojtarët nuk e dinë më nëse duhet të festojnë apo jo. Le t’i lëmë arbitrat të gabojnë“, përfundon një nga pengjet më të mëdhenj të futbollit italian.