Nga derbi, Kanselo te supriza me CR7, Alegri: Manxhukiç ka një tjetër… motor!

Juventusi luan të shtunën në mbrëmje derbin e qytetit kundër Torinos. Bardhezinjtë vizitojnë stadiumin e ekipit granata, aty ku nuk humbasin që nga 26 prilli i vitit 2015. Golat e Darmian dhe Kualjarelës përmbysnin avantazhin e Pirlos dhe kjo vazhdon të mbetet fitorja e fundit e Torinos në derbi.

Maks Alegri ka folur në konferencën për shtyp, duke insistuar në rëndësinë e kësaj sfide. Nevojiten tre pikë, humbja me Jang Bojsin duhet harruar dhe tifozët kanë nevojë për një dhuratë në prag të festave. E ku ka më bukur se të mposhtësh rivalët e qytetit?

Trajneri i Juventusit komenton për derbin, sqaron situatën e të dëmtuarve dhe zbulon… më shumë se gjysmën e formacionit. Diferenca me Napolin e vendit të dytë është 8 pikë, por Alegri nuk flet për titullin. Duhen fituar dhe katër ndeshjet e fundit për këtë vit dhe ky është objektivi momental i “Zonjës së Vjetër”.

DERBI – “Kjo është një ndeshje e vështirë, nevojitet karakter dhe teknikë. Nga katër ndeshjet e fundit për këtë vit, është më e vështira. Ekipi duhet të nxjerrë në pah atë që ka brenda dhe atë që nuk e ka, sepse rezultati është shumë i rëndësishëm. Tifozët? Derbi është një ndeshje, që ndihet shumë, por nuk duhet të biem pre e gabimeve të zakonshme. Duhet të jetë një ndeshje futbolli, një mbrëmje sporti.”

TË DËMTUARIT – “Kanselo do të operojë meniskun sot, ose nesër. Probleme ka dhe Kuadrado në gju dhe do të vlerësojmë, nëse ka nevojë për një ndërhyrje. Spinazola ndihet mirë dhe në javët e ardhshme do të kthehet dhe Kedira.”

FORMACIONI – “Emre Çan do të luajë nga minuta e parë. Në mbrojtje do të luajnë Aleks Sandro në të majtë dhe De Shiljo në të djathtë. Në qendër ka balotazh midis Bonuçit dhe Ruganit për një post në krah të Kielinit. Ka balotazh dhe mes Bernardeskit dhe Dagllas Kostës. Ronaldo do të luajë në sulm, ndërsa do të qëndrojë pushim në një nga tre ndeshjet e tjera (Roma, Sampdoria dhe Atalanta janë kundërshtarët). Ia kam thënë një gjë të tillë. Në formacion do të jenë dhe Perin me Manxhukiç. Kroati ishte dje më i freskëti nga të gjithë, ka një motor ndryshe. Benatia? Nuk ka asnjë problem me të, por sapo është rikthyer nga dëmtimi. Kush është te Juventusi duhe të pranojë stolin. ”

TITULLI – “Është herët për të folur për një kampionat të mbyllur. Duhet ta ruajmë këtë diferencë deri në fund të fazës së parë, më pas të shohim. Ka shumë pikë në valle. Pjaniç? Nuk ndodhet në vështirësi, por me tre sulmues në fushë, ka momente kur ai has vështirësi. Gjithsesi, ai mbetet një lojtar vendimtar për ne.”

(MOS)GRUMBULLIMI – “Sot i lashë të lirë djemtë, sepse vijmë nga 5 ditë grumbullime. U kisha dhënë fjalën, ata janë djem të përgjegjshëm, por nesër do të kryejmë stërvitjen e fundit.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online