Alban Bushi, trajneri i Shpresave, ka ftuar për ndeshjet miqësore me Maltën shtatë lojtarë nga kampionati shqiptar. Shumica janë nga Superiorja, teksa Laçi e Partizani kanë nga dy lojtarë, kurse Teuta e Skënderbeu nga një.
Në Fier krenohen se pjesë e Shpresave do të jetë mbrojtësi Eljon Sota, i vetmi nga Kategoria e Parë. Klubi i Apolonisë nuk e humb rastin t’i thotë dy fjali dhe të vlerësojë punën që bëhet në klubin e tyre, duke nisur që nga moshat.
“Sota Kuq & Zi! Mbrojtësi ynë, Eljon Sota, sot është bërë pjesë e listës së trajnerit Alban Bushi në kombëtaren Shpresa. Ai është thirrur për vlerat që ka treguar me fanellën e Apolonisë! Ne jemi krenarë që në ekipin tonë kemi futbollistë të tillë si Sota dhe Mihana, të cilët na përfaqësojnë në kombëtare! Presim edhe të tjerë, natyrisht që ka element për t’u vlerësuar tek Apolonia në saj të punës individuale dhe të grupit, mbi të gjitha e stafeve që punojnë në të gjitha grupmoshat e deri tek ekipi i parë”.