Napoli arriti një fitore karakteri, duke rikthyer dizavantazhin e pjesës së parë kundër Xhenoas. Fabian dhe një autogol i Biraskit i dhanë tre pikë të rëndësishme djemve të Ançelotit, me Napolin që shkon në -3 pikë me Juventusin dhe pret një dhuratë nga Milani sonte në mbrëmje.
Davide Ançeloti, djali i Karlos dhe zëvendësi i tij, ka folur pas fitores, duke vlerësuar shumë paraqitjen e ekipit dhe fitoren e arritur. Në të njëjtën linjë qëndron dhe mesfushori Alan, i cili mendon se fitorja erdhi në momentin e duhur dhe ekipi duhet të shohë përpara.
ANÇELOTI – “Zëvendësimet i vendosim së bashku, edhe pse vendimin final e jep Karlo. Stafi teknik analizon ndeshjen dhe bën propozimet. Është e vërtetë që donim shtyrjen e ndeshjes. Fusha nuk na favorizonte, pasi ishim në disavanatazh dhe nuk mund të luanim futbollin tonë. Vendosëm të ndryshonim mënyrën e lojës dhe të sulmuarit, duke sjellë në shtëpi tre pikë të rëndësishme, që na bëjnë krenarë.”
ALAN – “Ky sukses i ardhur në këtë mënyrë vlen më shumë se tre pikë. Ishte një fitore e vuajtur në një fushë të vështirë për të luajtur, ndikuar dhe nga shiu. Fituam dhe kjo është e rëndësishme, që na jep qetësi përpara pushimit. Milan-Juve? Do të jetë një ndeshje e bukur për t’u parë, por nuk duhet të mendojmë më shumë, sepse ka dhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Duhet të mendojmë vetëm për veten tonë dhe të shohim përpara.”