Në Spanjë nuk dorëzohen, Ikardi sërish në treg

Kohë merkatoje, kohë spekulimesh e aludimesh pa fund, ndaj tifozët duhet të mësohen me këto gjëra. Sot e përditshmja spanjolle Marca del me një lajm që shqetëson tifozët e Interit, sepse raporton që Reali i Madridit do të hidhet në sulm për Mauro Ikardin.

Presidenti Florentino Perez tashmë e ka të qartë që Nejmar e Mbape janë të paprekshëm në Paris, ndaj ëndrrat mund të shtyhen të paktën për një vit.

Realiteti është se duhet një sulmues urgjentisht, edhe pse Reali po blen Hazard, sipas burimeve nga Spanja e Anglia.

Karim Benzema është gjithnjë e më pranë largimit, pasi rendimenti i tij sezonet e fundit ka ardhur në rënie, ndërsa ka ende dyshime për Geret Bejlin.

Duke parë vështirësitë për të gjetur sulmues niveli, Reali ka kthyer sytë nga Ikardi, i cili në dy sezonet e fundit ka shënuar përkatësisht 24 dhe 29 gola, shifra impresionuese.

Marca gabon kur shkruan se Ikardi vlen 110 milionë euro, në bazë të klauzolës, sepse realisht klauzola për klubet e huaj ka skaduar tashmë, ndaj do të duhet një shifër shumë më e lartë, gjithnjë nëse Interi pranon të ulet në tryezën e bisedimeve.

Klubi zikaltër nuk ka dëshirë ta shesë sulmuesin, natyrisht, sidomos tani që skuadra është përforcuar ndjeshëm, por është e qartë që Uanda Nara, bashkëshortja-prokuratore e Ikardit, po luan me dy porta dhe nuk i dihet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *