Mançester Junajtid po përballet me shumë vështirësi këtë merkato. Mungesa e prezencës në Champions League sezonin e ardhshëm ka bërë që “Djajtë e Kuq” të refuzohen nga disa yje të mëdhenj dhe rinovimet të bëhen një mision shumë i vështirë.
E tillë është edhe situata e David De Geas. Spanjollit i skadon kontrata vitin e ardhshëm dhe kjo verë pritet të ketë zhvillime rreth të ardhmes së gardianit. Mediet angleze e bëjnë të kryer faktin se 28-vjeçari e ka marrë vendimin e tij. Ai do të vazhdojë të mbrojë katërkëndëshin e Junajtid.
De Gea dhe drejtuesit e klubit prej muajsh nuk po arrinin një marrëveshje rreth termave financiare. PSG nisi oferta tunduese drejt spanjollit, që desh ndërroi mendje. Megjithatë, ka qenë paga faraonike e Junajtid, që ka vulosur gjithçka. De Gea te “Djajtë e Kuq” do të arketojë plot 350 mijë paund në javë.