Teuta ka bërë revolucion këtë verë, duke larguar shumë lojtarë e duke afruar shumë të tjerë, ndaj misioni i trajnerit Gugash Magani është shumë i ndërlikuar. Megjithatë, zëvendëspresidenti i durrsakëve, Ardian Bardhi, është optimist dhe shkon deri aty sa të pretendojnë titullin kampion.
“Teuta këtë vit është ndërtuar të mos jetë më një skuadër që lufton për të qëndruar në Superiore, por pse jo të llogaritet mes pretendenteve për titull. Për herë të fundit e kemi fituar titullin kampion në vitin 1994 dhe shpresojmë që këtë vit ta përsërisim 1994”, shprehet Bardhi për Supersportin, duke e tepruar paksa, sepse grupi i sapokrijuar ka në përbërje shumë lojtarë të rinj e pa eksperiencë, duke përjashtuar pak emra.
“Grupi besoj se është i plotësuar me afrimet e lojtarëve si Lena apo Moçka. Skuadra deri tani ka shfaqur dëshirë dhe në stërvitje për objektiva të rëndësishëm dhe lojtarët janë përshtatur mirë me njëri-tjetrin megjithatë ka ende kohë deri në mbylljen e merkatos kështu që nuk është për t’u përjashtuar afrimi i ndonjë futbollisti të ri”, sqaron Bardhi, ndërkohë që Teuta sot është nisur për në Ohër, ku do të qëndrojë për 15 ditë.