“Nderime Musolinit!”, Milano shokohet nga ultrasit fashistë!

Lacio njihet për tifozërinë e saj pasiononte, të dhunshme dhe me bindje fashiste. Grupimi kryesor i ultrasve quhen “Irriducibili”, ose ndryshe “Të Pathyeshmit”. Ata janë nisur sot drejt Milanos për të mbështetur ekipin e tyre të zemrës në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Italisë.

Bardhekaltrit do të sfidojnë Milanin për një vend në finale, ndërkohë që ndeshja e zhvilluar në kryeqytet përfundoi pa gola. Rikthehemi te tifozët.

Një grup prej 50 anëtarësh të “Irriducibili” kanë shfaqur një pankartë shokuese në rrugët e qytetit të modës. “Nderime Benito Musolinit”, kanë shkruar ultrasit lacialë, duke iu referuar ish-diktatorit italian. Policia ka marrë masat dhe ka arrestuar një pjesë prej tyre.

Mesazhet politike nuk lejohen në stadiumet italiane, ndërsa ekspozimi i bindjeve neo-fashiste dënohet nga ligjet e vendit fqinj.

Rreth kësaj ngjarje ka reaguar kryebashkiaku i Milanos. “Duke u përpjekur edhe që të ç’dramatizoj ngjarjen, nuk mund të mos kuptohet se janë kaluar limitet. Milano mbetet dhe do të jetë gjithmonë një qytet thellësisht anti-fashist”, shkruan në rrjetet sociale Bepe Sala.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *