Barazimi i Juventusit pasdite në Bergamo krijoi idenë se Napoli do të përfitonte, për të shkurtuar distancën me majën e Serisë A, por në San Siro nuk i eci.
Interi fitoi 1-0 në ndeshjen e ditës në Itali, me një gol nga Lautaro Martinez në minutën e 91-të.
SAN SIRO is rocking!!! Lautaro Martínez with a beauty finish against the man down Napoli!!! #tlnsoccer #InterNapoli #SerieA pic.twitter.com/quyTQqfmLp
— TLNTV (@TLNTV) December 26, 2018
Pritej me interesim të madh sfida mes dy skuadrave më të mira në këtë moment në Serinë A, duke lënë mënjanë Juventusin, që luan një kampionat më vete.
Pjesa e parë ishte e Interit, që tentoi pa fund, goditi edhe traversën që në sekondën e parë të ndeshjes me Ikardin direkt nga mesi i fushës (!), por zikaltrit kanë probleme dhe në këtë moment duket qartë që janë nën presion të madh.
Napoli vetëm në pjesën e dytë doli në lojën e vet dhe krijoi lojë, por pak raste. Kulibali doli me karton të kuq pak minuta para fundit, për faj të vet, dhe Insinje e imitoi në fundin e shtesës, ndërsa Napoli humbi një rast të pabesueshëm në fundin e takimit, kur disa gjuajtje rresht u ndalën herë nga portieri Handanoviç e herë nga mbrojtja.
Ishte shenjë, sepse në shtesë Lautaro shënoi golin që bëri të shpërthente festa në San Siro. Fitore qetësie për zikaltrit, ndërsa Napoli dorëzohet përfundimisht në garën për titull. Jo se shpresonte shumë edhe para ndeshjes së sotme…