Zidan vendosi të mos e grumbullojë Hames Rodrigez për fazën përgatitore të Realit dhe diçka e tillë ka lumturuar tifozët e Napolit. Kolumbiani është objektivi i madh i nënkampionëve të Italisë, por duhet fituar rivaliteti me Atletiko Madrid.
Entuziazmi te tifozët e zjarrtë napolitanë është rritur de të gjithë po presin fantazistin latin. Ashtu mendon edhe Diego Maradona Jr, djali i legjendës argjentinase. Ai zbulon për “Marca” faktin që tenton gjithmonë të bindë Hamesin të transferohet te Napoli, por me një kusht: numrin dhjetë të Diegos duhet ta harrojë.
“Komentoj gjithmonë në fotot e Hamesit dhe i kërkoj që të transferohet te Napoli. I bëj shumë presion dhe së fundmi i ka dhënë like një komentit tim. Do të ishte një ëndërr nëse vjen te Napoli. Një lojtar me kualitetin e tij do t’i shtonte vlerat skuadrës. Qyteti është gati ta presë krahëhapur dhe jam i bindur se Hames do të tregonte gjithë potencialin që zotëron te Napoli.
Nuk e di konkretisht, por tratativa është në fazë të avancuar dhe ka mbetur për t’u përcaktuar vetëm formula e transferimit. Numri 10? Ai numër nuk preket. Është trashëgimi e familjes tonë dhe lidhet gjithmonë me babanë tim. U fol për t’ia dhënë edhe Higuain e Insinjes më parë, por duhet të jetë si në NBA: kur tërhiqet një bluzë, bëhet për përgjithmonë”, përfundon Diego Maradona Jr.